Putin diskuton me Maduron në Moskë

Bota

Putin diskuton me Maduron në Moskë

Më: 25 shtator 2019 Në ora: 13:36
Presidenti rus, Vladimir Putin (djathtas) dhe homologu i tij nga Venezuela, Nicolas Maduro.

Presidenti rus, Vladimir Putin është takuar me homologun e tij nga Venezuela, Nicolas Maduro në Moskë, në kohën kur qeveria e këtij të fundit po përballet me krizë të vazhdueshme politike.

Maduro ka arritur në Moskë më 24 shtator.

Rusia ka qenë një prej shteteve më të shpejta që i kanë ofruar atij mbështetje, teksa ai është përballur me ato që janë përshkruar si përpjekje të Shteteve të Bashkuara për ta dëmtuar atë.

Pavarësisht krizës së thellë politike dhe ekonomike të Venezuelës, Moska ka vazhduar të ofrojë kredi në mbështetje të Maduros.

Putin dhe as Maduro nuk kanë diskutuar për ndihmë financiare në deklaratat e tyre publike. Mirëpo presidenti rus ka përmendur se Rusia ka investuar 4 miliardë dollarë në Venezuelë.

Putini po ashtu i ka thënë Maduros se Rusia mbështet dialogun në mes të qeverisë dhe opozitës, në mënyrë që të gjendet zgjidhje për krizën politike të Venezuelës.

Ndaras, agjencia ruse e lajmeve, Interfax ka raportuar se Rusia planifikon ta furnizojë Venezuelën me 600,000 tonë grurë këtë vit.

Vizita e Maduros vjen një ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump i ka nisur paralajmërim Venezuelës, duke përmendur Maduron në fjalimin e tij në Kombet e Bashkuara.

Opozita e Venezuelës ka thënë më herët gjatë këtij muaji se dialogu i ndërmjetësuar nga Norvegjia në tentim të zgjidhjes së krizës në Venezuelë, tashmë ka mbaruar, gjashtë javë pasi qeveria e Maduros ka pezulluar pjesëmarrjen.

Përfaqësuesit e Maduros janë larguar nga tavolina e bisedimeve në muajin gusht për të protestuar kundër sanksioneve të ashpra të Trumpit ndaj Karakasit.

Në të njëjtën kohë, burimet diplomatike në Bruksel, duke folur në kushte anonimiteti, kanë thënë se Bashkimi Evropian ka miratuar sanksionet ndaj shtatë zyrtarëve tjerë të Venezuelës për shkak të torturës dhe abuzimeve me të drejta të njeriut, teksa blloku evropian vazhdon të rrisë presionin ndaj Maduros.

Ambasadorë nga 28 vende anëtare të BE-së kanë përkrahur masat ndëshkuese më 25 shtator, duke dërguar në 25, numrin e zyrtarëve të Venezuelës, që përballen me ndalim të udhëtimit dhe asete të ngrira në BE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat