Pompeo paralajmëron për rreziqet nga Rusia dhe Kina

Bota

Pompeo paralajmëron për rreziqet nga Rusia dhe Kina

Më: 8 nëntor 2019 Në ora: 14:56
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, paralajmëroi për rrezikun që paraqesin Rusia dhe Kina për liritë demokratike, ndërsa u kërkoi aleatëve perëndimorë që t'i mbrojnë liritë e tyre.

Duke folur në kryeqytetin gjerman, në prag të shënimit të 30-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, Pompeo tha se vendet e lira janë në një "konkurrencë vlerash" me ata që i kanë mohuar të drejtat e qytetarëve të tyre.

"Kombet e lira perëndimore e kanë përgjegjësi t'i parandalojnë kërcënimet ndaj popullit tonë, që vijnë nga qeveritë si Kina, Rusia dhe Irani", tha Pompeo.

"Sot, Rusia - e udhëhequr nga një ish-oficer i KGB-së, dikur i vendosur në Drezden - pushton fqinjët e saj dhe godet kundërshtarët politikë. Në Kinë, Partia Komuniste po formon një vizion të ri të autoritarizmit", shtoi Pompeo.

Ai është duke e shfrytëzuar udhëtimin dyditor në Gjermani për të forcuar marrëdhëniet me aleatët evropianë, të cilët janë tronditur nga një seri konfliktesh diplomatike dhe tregtare me Shtetet e Bashkuara.

Një ditë më herët, edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha në një intervistë për gazetën britanike The Economist se aleanca e NATO-s po përjeton "vdekje në tru" për shkak të mungesës së koordinimit midis Evropës dhe Uashingtonit.

"Ajo që ne po përjetojmë tani, është vdekja e trurit të NATO-s", i tha Macron gazetës londineze.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat