Turkmenistani kushtëzon policët: Humbni peshë ose e humbni punën

Bota

Turkmenistani kushtëzon policët: Humbni peshë ose e humbni punën

Më: 26 nëntor 2019 Në ora: 09:28
Ilustrim

Autoritetet e Turkmenistanit kanë kërkuar nga policët me mbipeshë që ta zvogëlojnë peshën trupore, në të kundërtën do të shkarkohen nga detyra.

Ministria e Brendshme e Turkmenistanit i ka urdhëruar policët që të humbin peshë deri më 25 dhjetor, nëse dëshirojnë që të mos e humbin vendin e punës. Kështu kanë deklaruar disa policë.

Disa policë madje kanë thënë që autoritetet kanë kërkuar nga ta që t’i inkurajojnë të afërmit që jetojnë jashtë vendit që të kthehen në Turkmenistan deri në fund të vitit.

Policët folën në kushte anonimiteti për shkak të frikës nga hakmarrja e qeverisë, e cila nuk i toleron kritikat dhe nuk lejon liri të shprehjes.

Ata thanë se zyrtarët kanë kërkuar që asnjë polic të mos peshojë më shumë se 100 kilogramë, sepse ministri i ri i brendshëm, Mammedkhan Chakyev, nuk i pëlqen policët me mbipeshë.

Sipas këtij urdhri, policët që nuk arrijnë të humbin peshë duhet të japin dorëheqje, pavarësisht pozitës që mbajnë, viteve të përvojës apo përparësive të tjera që kanë.

Masa të ngjashme më parë janë marrë edhe në Taxhikistan dhe Uzbekistan, ku autoritetet shpesh i kritikojnë policët për trupat e tyre, por rrallë i përmendin dyshimet për korrupsion të lartë në organet e sigurisë, shkruan “Free Europe”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat