SHBA sanksione ndaj Kinës lidhur me protestat në Hong Kong

Bota

SHBA sanksione ndaj Kinës lidhur me protestat në Hong Kong

Më: 28 nëntor 2019 Në ora: 23:19
Donald Trump

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump miratoi projektligjin i cili parashikon zbatimin e sanksioneve ndaj zyrtarëve kinezë përgjegjës për ushtrimin e dhunës dhe shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë protestave në Hong Kong.

Nëpërmjet një deklarate me shkrim Trump ka njoftuar nënshkrimin e projektligjit të emërtuar si “Ligji për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Hong Kong” i cili ka mbërritur tek ai pas miratimit nga të dy dhomat e Kongresit.

“Këtë projektligj e nënshkrova nga respekti që kam për presidentin e Kinës, Xi Jinping dhe popullin e Hong Kongut. Ky projektligj synon të hapë rrugë për paqe dhe mirëqenie afatgjate duke zgjidhur ndryshimet mes qeverive të Kinës dhe Hong Kongut”, tha Trump.

I propozuar nga senatori republikan, Marco Rubio dhe i miratuar nga të dy dhomat e Kongresit, projektligji mori një mbështetje të madhe nga senatorët por edhe nga deputetët republikanë dhe demokratë.

– Vala e dhunës në protestat e zhvilluara në Hong Kong

Në protestat pro-demokratike në Hong Kong që po zhvillohen nga qershori e deri më tani kundër projektligjit për ekstradimet në Kinë, në javët e fundit janë rritur konfliktet dhe ngjarjet e dhunshme mes protestuesve dhe policisë.

Pavarësisht se më 23 tetor projektligji u tërhoq zyrtarisht, protestuesit vendosën të vazhdojnë protestat e tyre me kërkesat për “reforma demokratike”.

Sipas të dhënave zyrtare, që nga qershori deri më tani në Hong Kong janë arrestuar rreth 5.000 protestues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat