Protestuesit e Hong Kong-ut e falënderojnë Donald Trump-in

Bota

Protestuesit e Hong Kong-ut e falënderojnë Donald Trump-in

Më: 1 dhjetor 2019 Në ora: 09:46
Foto ilustrim

Qindra njerëz në Hong Kong, përfshirë shumë persona të moshuar, u mblodhën të dielën para konsullatës amerikane në këtë qytet për të shprehur, siç thanë ata, mirënjohje për përkrahjen që Shtetet e Bashkuara e kanë ofruar për protestat kundër qeverisë, të cilat filluan para gati gjashtë muajve.

Duke i valëvitur flamujt amerikanë, protestuesit e zbuluan një fotografi të presidentit amerikan, Donald Trump, duke qëndruar mbi një tank. Në një parullë tjetër shkruhej “President Trump, të lutem çliroje Hong Kong-un”.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë këtë javë e miratoi legjislacionin e Kongresit për përkrahjen e protestuesve në qytetin e kontrolluar nga Kina, pavarësisht ankesave të ashpra të Pekinit.

“Faleminderit, president Trump, për dhuratën tënde të madhe për Hong Kong-un dhe Zoti e bekoftë Amerikën”, bërtiti një protestues që e mbante në dorë një mikrofon dhe që fliste para një grumbulli të njerëzve.

Në mëngjesit e së dielës, qindra protestues, përfshirë shumë prindër me fëmijë, protestuan kundër përdorimit të gazit lotsjellës nga policia.

Protestat kundër qeverisë e kanë përfshirë ish-koloninë britanike nga qershori i këtij viti dhe ato po vazhdojnë të mbahen çdo fundjavë. Për shkak të dhunës, autoritetet disa herë janë detyruar t’i mbyllin zyrat qeveritare, dyqanet, shkollat dhe aeroportin ndërkombëtar, shkruan “Reuters”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat