Në Nepal fillon festivali i mbytjes së kafshëve

Bota

Në Nepal fillon festivali i mbytjes së kafshëve

Më: 3 dhjetor 2019 Në ora: 10:56
Ilustrim

Besimtarët e fesë hinduse kanë filluar t’i mbysin mijëra buaj dhe kafshë të tjera në atë që vlerësohet si sakrifikimi më i madh i kafshëve në botë. Ky festival mbahet çdo pesë vjet në Nepal, ndonëse shumë organizata kanë kërkuar që një praktikë e tillë të ndërpritet.

Festivali “Gadhimai” filloi në orët e hershme të së martës nën masa të rrepta të sigurisë. Ceremonia filloi me therjen e një dhie, një miu, një pule, një derri dhe një pëllumbi.

Rreth 200 kasapë me shpata e thika të mprehta më pas u futën në një hapësirë të rrethuar me mure dhe me sipërfaqe më të madhe se një fushë futbolli, duke i mbajtur mijëra buaj, ndërsa shikuesit hipnin në degë të drurëve për ta parë ngjarjen.

Mijëra besimtarë të këtij besimi nga Nepali dhe India i kaluan disa net në qiell të hapur para këtij organizimi.

Herën e kaluar kur ishte mbajtur ky festival, në vitin 2014, rreth 200 mijë kafshë të ndryshme ishin therur për dy ditë. Pjesëmarrësit besojnë se kjo i bën nder “zotit të fuqisë” sipas besimit hindus.

Autoritetet kishin marrë vendim për ndalimin e këtij festivali, por aktivistët për të drejtat e kafshëve thanë se qeveria ka dështuar në zbatimin e këtij vendimi, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat