Bie përdorimi i thëngjillit, rriten gazrat e karbonit

Bota

Bie përdorimi i thëngjillit, rriten gazrat e karbonit

Më: 4 dhjetor 2019 Në ora: 09:18
Ilustrim

Shkencëtarët thonë se niveli i gazrave të karbonit në atmosferën e Tokës këtë vit kanë shënuar rritje, pavarësisht rënies së përdorimit të thëngjillit.

Sipas analizës vjetore të Projektit Global të Karbonit, e cila ka të bëjë me lirimin e gazrave të karbonit nga ndotësit anembanë botës, niveli i këtyre gazrave në atmosferë këtë vit është rritur për 0.6 për qind.

Rritja e nivelit të gazrave të karbonit ka ndodhur për shkak të shtimit të madh të përdorimit të naftës dhe gazit natyror. Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Parisit në vitin 2015, niveli i gazrave të karbonit është rritur për 4 për qind.

Vitin e kaluar u shënua rritje e madhe e këtyre gazrave për 3 për qind, kryesisht për shkak të rritjes së kërkesës për thëngjill në Kinë. Rritje kishte edhe në kërkesën për karburante për shkak të zgjerimit të tregut botëror të veturave.

Në këtë periudhë u rrit edhe përdorimi i gazit për 2.6 për qind. Megjithatë, rritje pati edhe në shfrytëzimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, përfshirë energjinë e erës dhe energjinë diellore.

Shtetet e Bashkuara shënuan rezultat pozitiv, duke e ulur për 1 për qind lirimin e gazrave të karbonit për çdo vit nga viti 2005.

Këto të dhëna u publikuan në kohën kur në Madrid të Spanjës po mbahet samiti “COP25” për ndryshimet klimatike, shkruan “BBC”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat