Dhjetë të vdekur nga tajfuni në Filipine

Bota

Dhjetë të vdekur nga tajfuni në Filipine

Më: 4 dhjetor 2019 Në ora: 09:45
Foto

Agjencitë për menaxhimin e situatave emergjente në Filipine njoftuan se ka shkuar në dhjetë numri i viktimave të tajfunit “Kammuri”. Ato thanë se masat paraprake dhe evakuimi i banorëve kanë ndikuar që shifra e të vdekurve të mos jetë më e lartë.

Ky tajfun është stuhia e njëzetë që i godet Filipinet vetëm gjatë këtij viti. Ajo nisi të hënën në mbrëmje, duke i detyruar mijëra banorë që të zhvendosen nga shtëpitë e tyre dhe duke bërë që qindra fluturime të anulohen.

Pesë persona vdiqën në rajonin qendror të Bicol-it, përfshirë tre që u mbytën në ujë. Pesë të tjerë e humbën jetën në pjesën jugore të kryeqytetit.

Rreth 350 mijë persona ende po qëndrojnë në qendrat e evakuimit, duke e pritur njoftimin e autoriteteve për kalimin e stuhisë dhe për t’u kthyer në shtëpi.

“Stuhia ka shkaktuar dëme të zakonshme, siç janë rrëzimi i drunjve, shkatërrimi i kulmeve të shtëpive dhe të disa ndërtesave qeveritare”, tha Mark Timbal, zëdhënës i Agjencisë së Situatave Emergjente.

Mesatarisht 20 stuhi i godasin Filipinet për çdo vit. Ky shtet përbëhet nga një arkipelag prej më shumë se shtatë mijë ishujve, shkruan “Reuters”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat