SHBA, Britani, akuza penale ndaj dy hakerëve rusë - Bota Sot
SHBA, Britani, akuza penale ndaj dy hakerëve rusë

Bota

SHBA, Britani, akuza penale ndaj dy hakerëve rusë

Më: 6 dhjetor 2019 Në ora: 06:11
Ilustrim

Autoritetet amerikane dhe ato britanike njoftuan ngritjen e akuzave ndaj dy keqbërësve kibernetikë rusë. Ata akuzohen se u angazhuan gjatë një dekade në një fushatë kriminale që rezultoi në dhjetëra miliona dollarë humbje për viktimat e tyre në mbarë botën.

Sipas autoriteteve, Maksim Yakubets, 32 vjeç, dhe Igor Turashev, 37 vjeç, ishin personazhet kryesore të një grupi hakerësh rusë të njohur si “Evil Corp”, të cilët përdorën programe kompjuterike për të vjedhur mbi 100 milionë dollarë nga qindra banka dhe institucione financiare në mbi 40 vende.

Në Pensilvani u ngritën ndaj tyre dhjetë akuza për konspiracion, ndërhyrje dhe vjedhje të dhënash kompjuterike, mashtrim me transferta dhe mashtrim bankar, nëpërmjet përhapjes së programit dëmtues “Bugat” për të vjedhur kredenciale dhe të dhëna të tjera personale nga kompjuterat e infektuar.

Zoti Yakubets, i njohur edhe online me nofkën “aqua”, do të përballet edhe me akuza ligjore të ngritura në Londër për drejtimin e një rrjeti të gjerë që infektoi kompjutera me virusin “Zeus” dhe mundësoi vjedhjen e miliona dollarëve nga bankat në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.

Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi sanksione ndaj këtij grupi hakerësh.

Yakubets dhe Turashev shfrytëzuan kredenciale e vjedhura bankare për të kryer transferta të paautorizuara nga llogaritë e viktimave, duke i shfrytëzuar ato për të zhvendosur fondet jashtë vendit. Ndër viktimat e tyre radhiten dy banka, një distrikt shkollash dhe katër kompani (ndër to edhe një biznes karburanti dhe një kompani e prodhimit të armëve).

Të dy të akuzuarit janë shpallur në kërkim./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat