Sulm në bazën amerikane në Afganistan, një i vdekur e dhjetëra të plagosur

Bota

Sulm në bazën amerikane në Afganistan, një i vdekur e dhjetëra të plagosur

Më: 11 dhjetor 2019 Në ora: 10:07
Foto

Një person ka vdekur dhe më shumë se 60 të tjerë janë lënduar pas një sulmi që ndodhi të mërkurën në bazën kryesore ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Afganistan. Lajmin e konfirmuan zyrtarët afganë dhe ata të NATO-s.

Ky sulm ndodhi në kohën kur Shtetet e Bashkuara po përpiqen t’i ngjallin negociatat e paqes me talibanët, të cilët kontrollojnë më shumë territore se kurrë më parë që nga largimi nga pushteti në vitin 2001.

Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, ndërsa një zyrtar rajonal tha se personi i vdekur dhe të gjithë të plagosurit janë afganë.

Wahida Shahkar, zëdhënëse e guvernatorit të provincës Parwan, ku ndodhën shpërthimet, tha se mes forcave të huaja dhe sulmuesve u zhvilluan luftime që zgjatën 30 minuta.

Raportohet se dy sulmues i kanë aktivizuar veturat e mbushura me mjete shpërthyese, ndërsa pesë të tjerë kanë qëlluar me armë. Nuk dihet ende se sa prej tyre janë vrarë nga forcat e sigurisë, shkruan “Reuters”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat