Shpërthimi i vullkanit nuk ia ndali dasmën këtij çifti filipinas

Bota

Shpërthimi i vullkanit nuk ia ndali dasmën këtij çifti filipinas

Më: 14 janar 2020 Në ora: 09:49
Foto ilustrim

Një çifti që vendosën të martohen në Filipine iu erdhi një mysafir i paftuar në dasmë. Në kohën kur burri dhe gruaja dolën para altarit, qielli ishte pushtuar nga hiri i vullkanit që nuk ndodhej shumë larg tyre.

Në pamjet që janë shpërndarë shumë në rrjetet sociale, çifti Chino dhe Kat Palomar u zotuan për besnikëri ndaj njëri-tjetrit nën renë gjigante të hirit të vullkanit Taal, i cili është njëri prej vullkaneve më të vogla aktive në botë.

“Për habi, dasmorët ishin të qetë, pavarësisht shtëllungës së madhe të tymit dhe hirit që dukej qartë në prapavijë”, tha Randolf Evan, fotografi i dasmës.

Ai tregon se si vullkani shpërtheu një ose dy orë para fillimit të ceremonisë së dasmës dhe se hiri kishte filluar të binte në vendin ku po mbahej tubimi.

Ndryshe, më shumë se 24 mijë persona janë detyruar të evakuohen nga shtëpitë e tyre pas shpërthimit të vullkanit që ndodhet në një ishull të vogël, rreth 70 kilometra në jug të kryeqytetit Manila.

Autoritetet e Filipineve nuk kanë raportuar për viktima, por dihet se, përpos tymit dhe hirit, vullkani për disa orë ka nxjerrë edhe lavë, duke e shtuar frikën e banorëve lokalë, shkruan “Reuters”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat