Rritet presioni i migracionit nga lindja e Mesdheut

Bota

Rritet presioni i migracionit nga lindja e Mesdheut

Më: 18 janar 2020 Në ora: 10:40
Ilustrim

Ndonëse në mbarë BE-në më 2019 ka pasur rënie të numrit të migrantëve të ardhur ilegalisht – numri i të ardhurve përmes rrugës nga lindja e Detit Mesdhe është rritur me 46 përqind, bëjnë të ditur autoritetet e BE-së.

Agjencia e BE-së për mbrojtjen e kufijve, Frontex, bën fjalë për 82.564 hyrje ilegale përgjatë vitit të kaluar nga pjesa lindore e Mesdheut. Drejtori i Frontex-it, Fabrice Leggeri, tha se kjo ka të bëjë kryesisht me gjendjen e pastabilizuar në Siri dhe në Afganistan.

Por edhe shanset e pakta ekonomike të afganëve në Iran dhe aksesi i kufizuar në tregun e punës në Arabinë Saudite kanë ndikuar për këtë valë emigrimi. Kryesisht ndaj Greqisë është rritur presioni nga mbërritja e migrantëve gjatë vitit  që lamë pas. Në ishujt Chios, Lesbos, Samos, Leros dhe Kos jetojnë ndërkohë 42.000 migrantë, sipas të dhënave zyrtare. Në prill 2019 numri i tyre ishte vetëm 14.000. 

Image
Fabrice Leggeri

Rritje të kalimeve ilegalisht të kufijve ka edhe në Ballkanin Perëndimor

Leggeri theksoi, se edhe Turqisë, prej nga vijnë shumë migrantë drejt Greqisë, i duhet të përballojë rritjen e presionit nga numri i migrantëve. Ka gjithashtu gjithnjë e më shumë përpjekje që nga brigjet e Turqisë të kalohet në Greqi. "Ne shohim gjithashtu, se truproja bregdetare turke punon shumë mirë për t'i ndaluar kalimet ilegale." Rritja më e madhe e kalimeve ilegale të kufirit nga migrantët që vijnë përmes pjesës lindore të Mesdheut ka qenë në Ballkanin Perëndimor. Sipas të dhënave të Frontex-it në këtë rajon ka një rritje me 143 përqind, me një numër migrantësh prej 14.183.

Por në nivelin e mbarë BE-së numri i migrantëve ka qenë i ulët pothuajse sa në vitin 2013. Trupa e mbrojtjes kufitare ka regjistruar gjithsej 139.000 kalime ilegale të kufirit – një vit më parë kuota ka qenë 6 përqind më e lartë. Më 2015, kur shumë migrantë morën rrugën drejt Europës, kuota ka qenë 92 përqind më e lartë.

Image
Gjendje e vështirë e refugjatëve në Lesbos

700 nëpunës të rinj

Përmes Mesdheut drejt Italisë dhe Maltës vitin e kaluar ka pasur një rënie të numrit të migrantëve ne rreth 41 përqind, ndërsa në pjesën perëndimore nga Spanja me minus 58 përqind. Përgjatë këtij viti do të përgatiten rreth 700 punonjës të Frontex-it, të cilët do të nisin detyrën në vitin 2021. Ata për herë të parë do të mbajnë uniformë europiane. Deri në vitin 2027 rezerva aktuale e përhershme e nëpunësve të truprojës kufitare do të rritet nga 1300 aktualisht në 10.000. Suksesi i truprojës kufitare dhe bregdetare europiane, sipas drejtorit të Frontex-it, Leggeri, është i lidhur ngushtë me kuadrin shumëvjeçar financiar të BE-së për periudhën nga viti 2012 deri më 2027, që po negociohet ndërkohë. Ndër të tjera në të parashikohet edhe se sa para do të vihen në dispozicion për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat