Australi, rikthehen zjarret vdekjeprurëse

Bota

Australi, rikthehen zjarret vdekjeprurëse

Më: 23 janar 2020 Në ora: 10:45
Zjarri ne Australi

Beteja me flakët rezultoi tragjike për tre zjarrfikës amerikanë, të cilët humbën jetën në Australi ndërsa po zhvillonin nga ajri betejën me vatrat e zjarrit.

Australia ndodhet sërish në regjimin e temperaturave të larta dhe zjarreve, pas disa ditëve të ftohta e me rrebeshe.

Përpjekjet e vendit për të shuar flakët rezultuan vdekjeprurëse të enjten kur një avion zjarrfikës u rrëzua brenda një vatre masive në kodrinat e Sidneit.

Tre personat në bord ishin shtetas amerikanë dhe mbetën të vrarë në vend, ndërsa shkaqet e aksidentit ende nuk janë sqaruar.

"Për fat të keq, sezoni i zjarreve nuk ka të ndalur dhe as pasojat e tyre tragjike. Vetëm sot, në vend po fluturojnë mbi 70 mjete ajrore dhe ngjarja na tregon se në ç'kushte të rrezikshme po punojnë vullnetarët dhe personeli ynë i emergjencave, dita-ditës," deklaroi shefja e ekzekutivit të Nju-Sauth-Uellsit.

Prej shtatorit, zjarret në Australi u kanë marrë jetën të paktën 32 personave, mbi 1 miliardë kafshëve dhe kanë shkrumbuar 10 milionë hektarë tokë.

Ato arritën kulmin gjatë festave të fundvitit, duke anuluar prenotimet me vlerë mbi 1,4 miliardë dollarë.

Sipas ekspertëve, dëmet financiare të zjarreve në banesa dhe biznese, makineri, vende pune, infrastrukturë, ndërprerja e energjisë elektrike dhe turizëm vlerësohen në 100 miliardë dollarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat