“I mbijetova kancerit, tani punoj për të sotmen” – Kush është Richard Grenell? - Bota Sot
“I mbijetova kancerit, tani punoj për të sotmen” – Kush është Richard Grenell?

Bota

“I mbijetova kancerit, tani punoj për të sotmen” – Kush është Richard Grenell?

Më: 24 janar 2020 Në ora: 15:02
Richard Grenell

Diplomacia e Donald Trump funksionon’. Kështu shkroi në rrjetet sociale ambasadori Richard Grenell, pak pasi bëri të ditur se Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshje për të vënë në punë edhe linjën hekurudhore mes dy vendeve.

Më herët, Grenell njoftoi arritjen e marrëveshjes për rikthimin e fluturimeve ajrore mes Kosovës dhe Serbisë, një marrëveshje që u përshëndet personalisht nga presidenti Donald Trump.

Ai është ambasadori i SHBA në Gjermani, duke mbajtur kështu një prej posteve më të rëndësishme në diplomaci. Vjeshtën e shkuar, presidenti Donald Trump e caktoi si të dërguarin e tij të posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Në përshkrimin e tij në rrjetet sociale, ai thotë se “ka dalë më i fortë pas kancerit”. Në vitin 2013, ai arriti të mbijetojë pas sëmundjes së rëndë të limfomës.

Këtë gjë e përmendi edhe kur u pyet se çfarë do të ndodhë nëse nuk ka një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës.

“Unë jam një i mbijetuar i kancerit dhe jetoj vetëm për të sotmen,” tha ai. “Do të punoj fort sot për sot,” shtoi Grenell me një pragmatizëm amerikan.

Grenell është 53 vjeç dhe fillimisht u bë i njohur kur shërbeu si zëdhënës i SHBA në Kombet e Bashkuara. Ai e mbajti këtë post më shumë se kushdo tjetër, duke shërbyer për katër ambasadorë të ndryshëm.

Grenell ka qenë edhe zëdhënës i sigurisë në fushatën presidenciale të republikanit Mitt Romney.

Si një konservator i thekur, emri i tij është përfolur për shumë poste të ndryshme, që nga Sekretar i Shtetit e deri te këshilltar për sigurinë pranë presidentit.

Kur u betua si ambasador i Gjermanisë, ai u bë i pari republikan homoseksual që mban këtë post kaq të lartë. Partneri i Grenell është Matt Lashey.

Mbërritja e tij në Gjermani shkaktoi jo pak ‘tërmet’. Sapo erdhi, ai u kërkoi kompanive gjermane që të mos bashkëpunojnë me Iranin. Më pas e kritikoi Berlinin për mungesën e investimeve në mbrojtje dhe për afrimin me Rusinë, por edhe me Kinën në disa raste.

Intervista e tij e parë si ambasador u komentua në dhjetëra media. Ai tha se qëllimi i tij si ambasador është që të forcojë lëvizjet konservatore nëpër Europë, çka nuk u prit mirë nga forcat e majta.

Ai është i pranishëm vazhdimisht duke komentuar pranë gazetës BILD, si një media e djathtë me qëndrime të prera pro-amerikane, pro-izraelite dhe kundër vendeve si Irani e Rusia.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat