Steinmeier: SHBA, Kina Rusia rrezikojnë rendin botëror

Bota

Steinmeier: SHBA, Kina Rusia rrezikojnë rendin botëror

Më: 15 shkurt 2020 Në ora: 10:31
Frank-Walter Steinmeier

Në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier kritikoi politikën egoiste të Uashingtonit, Pekinit e Moskës e theksoi rëndësinë e multilateralizmit. Pompeo nuk pranon kritikat.

"Secili vend duhet të shohë vetë, se ku mbetet, e të vendosë interesat e tij mbi gjithë të tjerët", kjo është deviza e presidentit amerikane, Donald Trump, tha Steinmeier në një fjalim në hapje të Konferencës së Sigurisë në Mynih. "Sikur vërtet është menduar për të gjithë, nëse gjithkush ka menduar për vete". Presidenti gjerman megjithatë e vlerësoi bashkëpunimin transatlantik. Ky duhet ruajtur, tha Steinmeier, i cili hapi zyrtarisht Konferencën e 56-të të Sigurisë në Mynih nën drejtimin e diplomatit të njohur, Wolfgang Ischinger. Kjo konferencë shihet si forum i rëndësishëm i politikës së sigurisë, ku deri të dielën diskutojnë e zhvillojnë takime rreth 40 krerë shtetesh e qeverish.

Por Sekretari i Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo nuk i pranoi kritikat për tërheqjen amerikane nga skena globale. Ai tha në Konferencën e Sigurisë në Mynih, se "jam i lumtur të them, se vdekja e aleancës transatlantike është tejet e ekzagjeruar". Perëndimi është duke fituar, dhe ne po fitojmë së bashku, tha ai.

Image
Mike Pompeo

"Pa respektuar të drejtën ndërkombëtare"

Steinmeier akuzoi Rusinë, se "pa respektuar të drejtën ndërkombëtare" e aneksoi Krimenë. Ky vend "e bëri dhunën ushtarake dhe ndryshimin e dhunshëm të kufijve në kontinentin europian sërish mjet të politikës". Që atëherë sundon pasiguri dhe paparashikueshmëri. Sipas Steinmeier, Kina përmes fuqizimit të saj është bërë një aktor i rëndësishëm në institucionet ndërkombëtare. "Në të njëjtën kohë ky vend e pranon të drejtën ndërkombëtare vetëm në mënyrë selektive, aty ku bie ndesh me interesat e veta", kritikoi presidenti gjerman. Veprimi i Kinës në Detin Jugor Kinez i shqetëson fqinjët në rajon. "Kurse mënyra e veprimit kundër pakicave në vend na shqetëson të gjithëve", tha Steinmeier duke pasur parasysh këtu burgosjet masive të uigurëve.

"Më shumë mosbesim, më shumë armatim, më pak siguri"

Image

Steinmeier paralajmëroi në këtë kontekst për një garë të re armatimi. "Po kthehemi sërish në dilemën klasike të sigurisë. Më shumë mosbesim, më shumë armatim, më pak siguri janë pasojat. Deri në një garë të re armatimi nuklear, që nuk do të sjellë vetëm më shumë armë, por më shumë fuqi nukleare të armatosura mirë, me të gjitha rreziqet për situatën e brishtë të stabilitetit nuklear", theksoi presidenti gjerman. Rikthimi tek interesat kombëtare e dobëson bashkësinë ndërkombëtare, edhe në kërkimin e zgjidhjeve të përbashkëta për probleme globale, si ndryshimi i klimës. Bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë "shumë e shqetësuar" kur institucionet ndërkombëtare "dobësohen" apo "bllokohen". "Humbjen e diplomacisë, të shtyllave mbajtëse të arkitekturës sonë të sigurisë, të marrëveshjeve për kontrollin e armatimit e marrëveshjeve ndërkombëtare nuk mund ta zëvendësojmë me tanke, avionë luftarakë dhe raketa me rreze të mesem veprimi", tha Steinmeier. E pikërisht, sepse rrezikon të shkatërrohet "Pax Americana", Europa duhet të reagojë ndaj kësaj "zhvendosjeje të fortë të sferave të pushtetit dhe ndikimit". Europa "duhet të gjejë balancën e saj me Kinën, në mes ashpërsimit të konkurrencës së sistemeve dhe bashkëpunimit të nevojshëm e duhet të marrë seriozisht partnerët e fuqishëm në Azi", paralajmëroi presidenti gjerman.

Maas apelon tek europianët

Image

Për shkak të tërheqjes gjithnjë e më të dukshme të SHBA nga konfliktet ndërkombëtare, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas (SPD) kërkoi në Konferencën e Sigurisë në Mynih një angazhim më të fuqishëm gjerman dhe europian në politikën e sigurisë."Ne europianët i kemi mbajtur për një kohë të gjatë sytë mbyllur para realitetit të vështirë, që krijon tërheqja amerikane nga angazhimi ushtarak dhe marrëveshjet ndërkombëtare", tha Maas. Në këtë boshllëk gjeopolitik që po lenë SHBA nën qeverinë e Trump po hyjnë "me forcë" vende si Rusia, Turqia dhe Irani. Por këto shtete ndjekin "shpesh vlera tërësisht të tjera, interesa të tjera dhe përfytyrime të tjera për rendin". Në këtë kontekst, Mass kërkoi "ngritjen e një Bashkimi Europian të sigurisë dhe mbrojtjes si shtyllë të fortë dhe europiane të NATO-s". Kjo është detyra politike europiane e viteve 20-të." Për këtë Gjermania do të reagojë edhe ndaj ofertës së presidentit francez, Emmanuel Macron për një dialog strategjik europiane mbi armët atomike franceze. Gjermania është "e gatshme të angazhohet edhe më shumë ushtarakisht", por ky duhet të jetë i përfshirë në një "logjikë politike" dhe i lidhur me diplomacinë."/DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat