Siri, mes luftës dhe të ftohtit, jetesë në qiell të hapur

Bota

Siri, mes luftës dhe të ftohtit, jetesë në qiell të hapur

Më: 18 shkurt 2020 Në ora: 14:16
Foto

Në Siri po rëndohen kushtet e jetesës për fëmijët që detyrohen të shpërngulen nga vendi si pasojë e luftimeve të vazhdueshme në rajonin e Idlibit.

Shoqatat humanitare informon se një numër në rritje i personave po dynden në një zonë gjithnjë e më të vogël afër kufirit me Turqinë.

"Kjo valë e të shpërngulurve që po vërejmë në Idlib është nga më të mëdhatë që prej nisjes së luftës siriane në vitin 2011. Sot kemi rreth gjysmë milionë fëmijë të zhvendosur brenda pak javëve," - deklaron zëdhënësja e grupit "Save the Children".

Përpos problemeve të eksodit nga bombardimet nga ajri, stina e dimrit po i përball banorët me sfidën e temperaturave nën zero nën qiellin e hapur apo në tenda të përkohshme najloni që nuk janë pajisur me ngrohje e as të higjienizuara.

Të paktën 10 fëmijë janë ndarë nga jeta në javët e fundit, disa prej helmimit nga monoksidi i karbonit teksa ngroheshin me gaz në ambientin e mbyllur.

"Jemi 140 familje pa banesë, pa ngrohje, me kushte të vështira, sidomos për natën. I ftohti në dhjetë ditët e fundit ka qenë veçanërisht i ashpër për të vegjlit tanë," - shpjegon një banor i shpërngulur.

Siria numëron rreth 17 milionë banorë, nga të cilët 5,5 milionë jetojnë si refugjatë në Turqi dhe në rajon, ndërsa 6 milionë të tjerë diku brenda vendit.

Tensionet janë shtuar së fundmi me avancimin e trupave siriane të presidentit Bashar al-Asad kundrejt atyre rebele që mbështeten nga Turqia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat