Coronavirusi po zgjerohet në 40 vende të botës, të infektuar ka nga të gjitha kontinentet – përveç Antarktikut

Bota

Coronavirusi po zgjerohet në 40 vende të botës, të infektuar ka nga të gjitha kontinentet – përveç Antarktikut

Më: 27 shkurt 2020 Në ora: 12:29
Foto Ilustrim

Coronavirusi është zgjeruar në 40 vende të botës, kurse të infektuar ka në të gjitha kontinentet përveç në Antarktik.

Një grua që punon si shofer të një autobusi turistik në Osaka për herë të dytë ka dalë pozitive në testet e coronavirusit, gjë që është rasti i parë që po ndodh në Japoni.

Ajo ka rezultuar pozitive me coronavirus të premten, pasi kishte ndjerë dhimbje në fyt dhe gjoks, shkruan Reuters.

Për herë të parë ajo kishte rezultuar pozitive në janar, ku pas hospitalizimit kishte marrë veten dhe ishte liruar nga spitali.

Në anën tjetër ministri japonez i Shëndetësisë, ka thënë se është pacientja e parë që pasi është shëruar nga coronavirusi ka rezultuar të jetë pozitive për herë të dytë.

Edhe pse një rast i tillë po ndodh për herë të parë në Japoni, raste të ngjashme ishin regjistruar në Kinë.

Ndërkaq Estonia ka regjistruar rastin e parë me coronavirus, kurse burri i infektuar ishte kthyer nga Irani. Bëhet fjalë për burrin që vazhdimisht viziton Estoninë, por që nuk është shtetas i këtij vendi.

“Sipas informatave të reja, ai është shtetas i Iranit”, ka deklaruar Tanel Kik, ministri estonez gjatë një paraqitje në televizionin publik, duke pranuar se i infektuari kishte mbërritur në Estoni të premten mbrëma me një autobus që po udhëtonte nga Riga.

E presidenti amerikan Donald Trump, ka deklaruar se rreziku nga coronavirusi në SHBA mbetet shumë i vogël. Ai shtoi se SHBA-të janë të gatshme të bëjnë gjithçka nëse ky virus zgjerohet.

Trump gjithashtu pranoi se do të jetë i kënaqur me çfarëdo ndihme financiare që e miraton Kongresi  në luftën kundër coronavirusit.

Edhe Danimarka ka konfirmuar rastin e parë me coronavirus, kurse personi i infektuar ishte kthyer së fundmi nga Italia ku kishte shkuar për skijim në Lombardi. E pas testeve, ai është futur në karantinë.

Ky është rasti i parë në këtë vend dhe nuk do ta ndryshojë përqindjen e rasteve me coronavirus.

Kujtojmë që deri më tani nga coronavirusi ndryshe i njohur si COVID-19, kanë humbur jetën 2.800 persona, ku shumica prej tyre kanë vdekur në Kinë.

Në mbarë botën janë regjistruar më shumë se 81.700 raste me të infektuar, kurse Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar mbrëmë se për herë të parë numri i të prekurve me coronavirus jashtë Kinës është më i madh.

Në Itali janë regjistruar 400 raste, që po cilësohet si numri më i madh i të infektuarve në Evropë. Megjithatë virusi po vazhdon të zgjerohet me shpejtësi të madhe nëpër Evropë, ku për herë të parë janë regjistruar raste në Norvegji, Rumani dhe në Maqedoninë e Veriut.

Shumë shtete evropiane kanë ndërmarrë masa, në Itali rreth 100 mijë persona janë futur në karantinë dhe u është ndaluar rreptësishtë largimi.

Në Iran janë regjistruar 193 raste me të infektuar dhe 19 tjerë që kanë humbur jetën. Virusi këtë javë është shpërndarë në masë të madhe nëpër Lindjen e Mesme, përfshirë Kuvajtin, Bahreinin dhe Libanin.

Siç raporton CNN rastet e të vdekurve jashtë Kinës janë raportuar në Iran (19), Korenë e Jugut (13), Itali (12), Japoni (7), Hong Kong dhe Francë (2) si dhe nga një rast në Filipine dhe Tajvan.

Në Kinë janë regjistruar 433 raste të reja me coronavirus, kështu që numri total i të infektuar ka shkuar në 78.497, kanë njoftuar autoritetet e këtij vendi.

Gjatë ditës së djeshme kanë humbur jetën 29 persona, që është numri i vogël i viktimave nga coronavirusi që nga 28 janari. Virusi në Kinë deri më tani ua ka marrë jetën 2.744 personave.

Në provincën Hubei, që konsiderohet si qendra e epidemisë, janë raportuar 409 raste të reja dhe 26 tjerë të vdekur. Ndërkaq më shumë se 40 shtet jashtë Kinës kanë regjistruar raste me coronavirus. Të infektuar ka në të gjitha kontinentet përveç në Antarktik.

Coronavirus është zgjeruar deri në Brazil, Pakistan, Norvegji, Greqi, Rumani dhe Algjeri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat