Autoritetet shëndetësore përqëndrohen tek frenimi i koronavirusit

Bota

Autoritetet shëndetësore përqëndrohen tek frenimi i koronavirusit

Më: 27 shkurt 2020 Në ora: 17:15
Foto ilustrim

Zyrtarët e shëndetit publik në të gjithë botën janë përqendruar në marrjen e masave për të ndaluar përhapjen e koronavirusit të ri që ka infektuar të paktën 82,000 vetë në më shumë se 40 vende, që nga momenti i shfaqjes në Kinë në fund të muajit dhjetor.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë pezulluar stërvitjet e përbashkëta ushtarake. Uashingtoni lëshoi një paralajmërim të ri lidhur me udhëtimet duke këshilluar qytetarët amerikanë që të shmangin vizitat në Korenë e Jugut, vend që ka raportuar më shumë raste deri më tani pas Kinës. Autoritetet në Korenë e Jugut njoftuan të enjten 505 raste të tjera, që e çuan totalin e personave të prekur nga virusi në 1.766 vetë.

Kryeministri japonez Shinzo Abe bëri thirrje për mbyllje të shkollave për disa javë. Gjithashtu u bë thirrje që njerëzit të shmangin tubimet e mëdha për anulim të ngjarjeve sportive ose zhvillimit të tyre pa spektatorë në një përpjekje për të parandaluar përhapjen e virusit. Japonia ka njoftuar rreth 200 raste, pa llogaritur më shumë se 700 të tjera që ndodhen në një anije kruz e futur prej javësh në karantinë në Jokohama.

Kryeministri Australian Scott Morrison njoftoi se qeveria e tij ka nisur zbatimin e një plani urgjent si reagim ndaj asaj që ai tha se ishte "kujdes i gjerë", por që lidhet dhe me frikën se përhapja e virusit mund të shdërrohet në pandemi.

"Bazuar në këshillat e ekspertëve, ekziston çdo tregues që bota së shpejti do të hyjë në fazën e pandemisë", tha zoti Morrison.

Presidenti i Francës Emmanuel Macron vizitoi të enjten një spital në Paris, ku këtë javë një person humbi jetën si pasojë e virusit. Ai shprehu mbështetje për punonjësit e kujdesit shëndetësor.

Në Gjenevë, komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut Michelle Bachelet paralajmëroi kundër diskriminimit të lidhur me virusin.

"Epidemia e koronavirusit ka nxitur një valë shqetësuese paragjykimesh ndaj atyre personave me përkatësi etnike kineze apo që vijnë nga lindja e Azisë. U bëj thirrje shteteve anëtare të bëjnë çmos për të luftuar këtë dhe format e tjera të diskriminimit", tha ai.

Në Shtetet e Bashkuara është përhapur një tjetër shqetësim lidhur me një rast të mundshëm të prekjes nga virusi të një personi që nuk ka histori të njohur udhëtimesh në një vend me shpërthim të vazhdueshëm të epidemisë apo kontakte me dikë që dihet se është i infektuar. Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e njoftuan këtë rast të mërkurën dhe bëhet fjalë për një person në shtetin e Kalifornisë.

Presidenti Donald Trump zhvilloi një konferencë shtypi të mërkurën vonë duke shprehur besim në gatishmërinë e qeverisë së tij për t'iu përgjigjur situatës. Vëmendja lidhur me situatën është zhvendosur nga Kina në vende të tjera. Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se qeveritë duhet të vazhdojnë të jenë vigjilente edhe nëse shohin një ulje të rasteve. Ai theksoi zgjerimin "thellësisht shqetësues" të situatës në Itali dhe Iran, të cilat kanë qenë të lidhura me rastet që përhapen në vendet e tjera.

Ndërkohë, Danimarka raportoi rastin e saj të parë të enjten, bëhej fjalë për një person që ishte kthyer nga një udhëtim në Itali. Kjo pason rastin e parë të raportuar në Brazil, i pari në Amerikën Latine, që gjithashtu përfshinte një person që kishte vizituar Italinë. Disa nga vendet e tjera që hyjnë në listën e atyre me raste të konfirmuara janë Rumania, Greqia, Norvegjia dhe Pakistani.

Arabia Saudite, e cila nuk ka raportuar ndonjë infeksion me koronavirus, njoftoi se ka ndaluar hyrjen në vend të pelegrinëve të huaj të cilët vijnë për të vizituar vendet e shenjta të islamit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat