Profesori australian pretendon se ka gjetur ilaçin ndaj koronavirusit

Bota

Profesori australian pretendon se ka gjetur ilaçin ndaj koronavirusit

Më: 16 mars 2020 Në ora: 09:48
David Peterson

Një doktor australian që ka specializuar për sëmundjet infektive beson se ekipi i tij ka gjetur kurën për të luftuar Coronavirusin, Covid-19.

Virusi ka marrë jetën e më shumë se 6500 personave në botë – përfshirë pesë australianëve – që kur u identifikua në dhjetor të 2019-s në Wuhan të Kinës.

Por hulumtuesit në Universitetin e Queenslandit besojnë se dy ilaçe mund të largojnë virusin plotësisht. I pari është një ilaç që përdoret për të luftuar HIV-in, ndërsa tjetri është një medikament anti-malarie i njohur si ‘chloroquine’.

Profesori David Peterson shpreson që të ketë pacientë që të testohen në klinikë për ilaçet deri kah fundi i marsit. Ai ka thënë se nuk do të ishte gabim të konsideroheshin këto ilaçe si “trajtim apo kurë” për infeksionin.

Paterson ka thënë se një nga medikamentet u është dhënë disa prej pacientëve që ishin të parët të identifikuar si bartës në Australi, dhe më pas “pati zhdukje të virusit”.

“Është trajtim potencialisht me efekt që duhet të konsiderohet për testim në shkallë të madhe, menjëherë”, ka thënë ai për “news.com.au”.

“Ajo që duam të bëjmë për momentin është të kemi testim nëpër Australi, duke shikuar te 150 spitalet dhe po i krahasojmë një ilaç, ndaj tjetrit dhe ndaj kombinimit të të dy ilaçeve”, ka shtuar ai.

Derisa ilaçi ishte i suksesshëm në disa prej pacientëve me koronavirus, Paterson ka shtuar se testimi s’ka qenë nën masa të kontrolluara. Vendimi për të testuar ilaçin ishte bërë fillimisht pasi disa qytetarë nga Kina ishin kthyer në Australi me rezultate pozitive për koronavirus.

“Vala e parë e pacientëve nga Kina në Australi ia doli me sukses shumë të mirë, kur u trajtua me ilaç kundër HIV-it”, ka thënë Patersoni.

Deri tash në Australi pozitivë me koronavirus kanë dalë 375 persona.

Për kurën ndaj Coronavirusit po garojnë disa vende. Së fundmi u raportua se presidenti amerikan po tenton të blejë një kompani gjermane që është duke bërë gati vaksinën kundër Coronavirusit, ndërsa sot është thënë se në Amerikë do të nisë testimi i një vaksine ndaj virusit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat