Cilat janë shifrat dhe zhvillimet më të reja rreth koronavirusit në botë

Bota

Cilat janë shifrat dhe zhvillimet më të reja rreth koronavirusit në botë

Më: 17 mars 2020 Në ora: 08:38
Ilustrim

Epidemia e virusit Covid-19 ka vazhduar të përhapet në pjesë të ndryshme të botës edhe gjatë ditës së hënë. Deri më tani, numri i personave të infektuar ka shkuar në mbi 180 mijë, 7 mijë e 154 njerëz kanë vdekur, ndërsa më shumë se 79 mijë të infektuar janë shëruar.

Në Evropë, Franca i ka ashpërsuar masat e parandalimit të përhapjes së virusit të ri dhe i ka angazhuar 100 mijë policë për ta mbikëqyrur respektimin e vendimeve të qeverisë për izolim. Presidenti francez, Emmanuel Macron, kërkoi nga qytetarët që t’i kufizojnë në masë të madhe lëvizjet për së paku dy javët në vazhdim dhe t’i pakësojnë kontaktet sociale sa më shumë që është e mundur.

Shtëpia e Bardhë i ka këshilluar amerikanët që të izolohen. Presidenti Donald Trump kërkoi nga qytetarët që t’i shmangin tubimet me më shumë se 10 persona gjatë dy javëve të ardhshme dhe i këshilloi autoritetet që t’i mbyllin restorantet, kafenetë dhe qendrat e fitnesit, në rast se konfirmohet ndonjë rast i infektimit përbrenda komunitetit.

Në Azi, India ka vendosur që ta mbyllë vendin më të vizituar nga turistët, Taj Mahal. Autoritetet në Mumbai kanë kërkuar nga kompanitë që të punojnë vetëm me gjysmën e stafit të punëtorëve, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Kina e raportoi vetëm një rast të koronavirusit jashtë qytetit Wuhan, ndërsa autoritetet thanë se ekonomia e vendit do të kthehet në gjendjen normale gjatë çerekut të dytë të këtij viti.

Më shumë se 100 mjekë australianë janë bllokuar në një anije që tash për tash ndodhet në ujërat e Kilit pas vendimit të qeverisë për ndalimin e ankorimit të anijeve në portet e Australisë si masë parandaluese kundër përhapjes së virusit Covid-19.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat