Rreth 1,000 të vdekur nga coronavirusi në Spanjë – sipas shoqatave, sistemi shëndetësor në gjendje alarmante

Bota

Rreth 1,000 të vdekur nga coronavirusi në Spanjë – sipas shoqatave, sistemi shëndetësor në gjendje alarmante

Më: 20 mars 2020 Në ora: 14:58
Foto Ilustrim

Numri i viktimave nga coronavirusi në Spanjë ka shkuar në 1,002, sipas statistikave të fundit.

Sipas mediave të huaja, më shumë se një e treta e rasteve të konfirmuara janë në Madrid, ndërsa numri i përgjithshëm i të prekurve në të gjithë vendin ka shkuar në 19 mijë.

Megjithëse autoritetet shëndetësore kanë paralajmëruar se kulmi i krizës është ende larg, mjekët në vijën e frontit deklaruan se spitalet janë “bllokuar”, ndërsa betejat e tyre do të përkeqësohen nga mungesa e rëndë e mjeteve mbrojtëse – si maskat dhe dorëzat.

“Situata aktuale në spitalet në Madrid është kritike”, tha Angela Hernandez nga Shoqata e Mjekëve dhe Profesionistëve në Madrid.

“Sistemi i kujdesit shëndetësor është në gjendje alarmante”, ka shtuar ajo.

Shoqata e saj ka filluar të ofrojë terapi falas përmes telefonit dhe postës elektronike për profesionistët e kujdesit shëndetësor në rajon, në mënyrë qe ata të përballen më mirë me krizën më vonë.

Aranzasu Loa, nëna e 68-vjeçares e së cilës po mjekohet për pneumoni në një spital në periferi të Madridit, përshkroi një situatë kaotike.

“Ka pacientë me pneumoni të cilët kanë mbetur ulur në karrige në repartin e urgjencës për 48 orë, dhe janë të detyruar të flenë në këto karrige ndërsa presin për rezultatet e testeve të  Covid-19”, tha ajo.

Mirëpo lidhur me këtë rast, udhëheqësja rajonale e Madridit, Isabel Diaz Ayuso, e ka mohuar se punonjësit e kujdesit shëndetësorë janë detyruar të vendosin se cilin pacient të trajtojnë të parin në bazë të gjendjes kritike.

“Sistemi i kujdesit shëndetësor i trajton të gjithë pacientët në mënyrë të barabartë”, i tha Isabel Diaz Ayuso transmetuesit Antena 3.

“Askush nuk veçohet”, ka shtuar ajo.

Raportohet se ministria e shëndetësisë në Spanjë të premten ka premtuar përforcime për sistemin, duke njoftuar për planet për të rekrutuar grupe të tilla si studentë të mjekësisë dhe mjekë të pensionuar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat