Arabia Saudite i jep fund dënimit me vdekje për personat e mitur

Bota

Arabia Saudite i jep fund dënimit me vdekje për personat e mitur

Më: 27 prill 2020 Në ora: 10:44
Ilustrim

Autoritetet e Arabisë Saudite e kanë shfuqizuar dënimin me vdekje për personat e mitur pasi më parë e larguan edhe dënimin me goditje me kamxhik.

Kryetari i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Awwad Alawwad, njoftoi përmes një deklarate se dënimi me vdekje është larguar për personat që kanë kryer krime gjatë kohës kur kanë qenë në moshë të mitur. Ai për këtë njoftim e citoi një dekret të qeverisë mbretërore, shkruan “The Guardian”.

Në deklaratë thuhet se në vend të dënimit më të rëndë, tash e tutje të miturit mund të dënohen me dhjetë vjet burgim, të cilin do ta vuajnë në hapësira të veçanta për persona nën moshën madhore.

Ky vendim pritet t’i shpëtojë nga ekzekutimi së paku gjashtë persona të komunitetit shiit, të cilët ishin të dënuar me vdekje. Ata akuzoheshin për pjesëmarrje në protestat anti-qeveritare gjatë kryengritjeve të “Pranverës Arabe” përderisa ishin nën moshën 18-vjeçare.

Ndryshe, Arabia Saudite e ka njërën prej shkallëve më të larta të ekzekutimeve në botë. Me këtë dënim ndëshkohen ata që shpallen fajtorë për terrorizëm, vrasje, dhunime seksuale, grabitje të armatosura dhe trafikim të drogës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat