Financial Times: Mësimi përmes internetit nuk e zëvendëson mësimin në klasë

Bota

Financial Times: Mësimi përmes internetit nuk e zëvendëson mësimin në klasë

Më: 27 prill 2020 Në ora: 15:34
Ilustrim

Për miliona fëmijë në mbarë botën, kthimi në shkollë gjatë periudhës së re ka qenë vetëm virtual. Fëmijët e moshës shkollore janë në mesin e grupeve më të prekura nga vendimet e qeverive për izolimin e ekonomive për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Një mungesë e zgjatur në shkollë do të nënkuptojë një boshllëk në të nxënët e çmueshëm dhe humbje të ndërveprimeve sociale me shokët e shoqet. Fëmijët e familjeve më të varfra janë veçanërisht në rrezik. Siç mund ta kenë parë shumë prindër, mësimdhënës dhe fëmijë në javët e fundit, mësimi përmes internetit nuk është zëvendësim i lehtë për mësimin në klasë.

Çështja e rihapjes së shkollave është një prej vendimeve më të mëdha dhe më të ndërlikuara me të cilat përballen qeveritë në kohën kur po e shqyrtojnë lehtësimin e masave kufizuese. Disa të dhëna tregojnë se fëmijët e vegjël kanë më pak gjasë se të rriturit që të infektohen me Covid-19 dhe ta transmetojnë virusin te të tjerët.

Sipas një studimi të ri të popullatës në Islandë – vend që i ka lënë shkollat të hapura gjatë tërë krizës – fëmijët nën moshën 10-vjeçare kanë shkallë më të ulët të rrezikut për infektim sesa adoleshentët apo të rriturit. Disa studime, përfshirë një që u publikua të enjten e kaluar nga Instituti Pasteur për përhapjen e virusit në një qytezë në verilindje të Parisit, tregojnë se ka pasur raste të shkallëve të larta të infektimit brenda shkollave të mesme.

Prandaj, nuk mund të ketë qasje të përgjithshme në lidhje me atë se si të rihapen shkollat. Politikëbërësit duhet të marrin parasysh shumë faktorë, përfshirë fazën e pandemisë dhe elementet kulturore të popullatës. Shoqëritë ku familjet me shumë gjenerata janë të zakonshme, duhet të kenë kujdes të veçantë. Hulumtimet kanë treguar se jetesa e disa gjeneratave nën një kulm mund ta ketë përshpejtuar përhapjen e koronavirusit në Itali.

Niveli i instrastrukturës testuese të një shteti është gjithashtu faktor kyç. Danimarka, e cila para 10 ditëve u bë vendi i parë evropian që i rihapi shkollat fillore pas ngujimit, është zotuar se do t’i testojë të gjithë ata që shfaqin simptoma të virusit. Shkollave daneze u është lejuar të vendosin vetë se si ta menaxhojnë kërkesën kryesore – që nxënësit të mbahen dy metra larg njëri-tjetrit. Në shumë raste, edhe klasët janë ndarë në dy grupe, ndërsa koha e lojës është organizuar në nëngrupe më të vogla.

Në shtetet ku testimi masiv mbetet sfidë, përfshirë Britaninë e Madhe, politikëbërësit duhet ta shqyrtojnë rihapjen e shkollave vetëm në mënyrë të pjesshme për t’i mbrojtur fëmijët dhe stafin e mësimdhënësve. Një bashkëpunim mes Universitetit të Oksfordit dhe universiteteve në Zvicër e vlerësoi efektshmërinë e strategjive të ndryshme të distancimit, të mbështetura në rrjete, për ta rrafshuar lakoren e infeksioneve të reja. Një shembull i një qasjeje të tillë do të mund të ishte ndarja e nxënësve të shkollave në “mikro-komunitete”, të cilat nuk socializohen me të tjerët. Çfarëdo rihapje e shkollave duhet të përputhet me testim të hollësishëm për përcjelljen e infektimeve dhe gjithashtu për t’u lejuar ndryshime të mundshme të kufizimeve ose – në rastin më të keq – një kthim në ngujim. Është jetike që politikëbërësit të mund ta kuptojnë efektshmërinë e strategjive të ndryshme të distancimit social.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat