NASA prodhon një respirator për pacientët me COVID-19

Bota

NASA prodhon një respirator për pacientët me COVID-19

Më: 5 maj 2020 Në ora: 16:10
Ilustrim

Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, thotë se një respirator i ri i zhvilluar nga inxhinerët e saj për të trajtuar pacientët e prekur nga koronavirusi, është miratuar për përdorim urgjent nga organet federale të shëndetësisë. Inxhinerët me agjencinë NASA në Kaliforni eprojektuan dhe ndërtuan pajisjen brenda një harku kohor prej 37 ditësh.

Inxhinerët agjencisë amerikane të hapësirës, NASA, në laboratorin “Jet Propulsion” në Pasadena të Kalifornisë festojnë ndërtimin me sukses të prototipit të një respiratori, ndërsa pajisja vihet në punë.

Respiratori i quajtur “VITAL” u projektua dhe ndërtua në vetëm 37 ditë. Kjo pajisje është ndërtuar me synimin për të lehtësuar furnizimin me respiratorë tradicionalë, që ato të përdoren tek pacientët e prekur nga koronavirusi, të cilët kanë simptomat më të rënda.

Mes dhjetëra specialistëve në këtë projekt është edhe inxhinieria e mekanikës elektronike Michelle Easter, e cila ndërton pajisje robotike për mjetet ajrore dhe jo pajisje mjekësore.

“Si mund të ndërtonim diçka nga pajisjet që gjejmë në garazhin e shtëpisë ? Bashkuam njohuritë mbi fluturimet dhe praktikat tona të njohura për të ndërtuar pajisjen në fjalë.”

Në rastet më të rënda, virusi dëmton indet e shëndetshme në mushkëri, duke vështirësuar furnizimin e gjakut me oksigjen.Në këtë rast, pacienti preket nga pneumonia si dhe gjendje më të rënda akute të sistemit të frymëmarrjes, çfarë mund të dëmtojë edhe organe të tjera.

Respiratorët furnizojnë mushkëritë me oksigjen tek pacientët me probleme të rënda frymëmarrje, duke u vënë atyre një tub në fyt.

Këto makineri po ashtu përdoren edhe në raste të tjera, kryesisht kur një pacient i nënshtrohet operacionit dhe gjendet nën anestezi të përgjithshme.

NASA thotë se pajisja e re nuk është projektuar për të zëvendësuar respiratorët tradicionalë të spitalit, të cilët zgjasin për disa vite dhe janë ndërtuar për një gamë të gjerë përdorimesh mjekësore.

Pajisja është e ndërtuar e tillë që të funsksionojë tre deri katër muaj, dhe të përdoret për pacientët me COVID-19. Po ashtu kushton më lirë që të ndërtohet, me pjesë më të pakta dhe mund të modifikohet për përdorim në spitalet fushore, thotë NASA.

“Kur dërgojmë një anije në hapësirë dhe diçka prishet, ne nuk mund të dërgojmë një ekip për të bërë rregullime. Prandaj, ne jemi mësuar që të bëjmë analiza të shumta dhe të përpikta për ndonjë skenar të mundshëm që diçka të prishet. Përdorëm të njëjtën praktikë në ndërtimin e pajisjes mjekësore ”, thotë inxhinierja Easter.

NASA ka thënë se respiratori prototip është miratuar nga agjencia federale amerikane që merret me çështjet e shëndetësisë. NASA po ofron një liçensë falas për prodhimin e respiratorit në të gjithë botën./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat