2020-ta, viti i ceremonive të diplomimit në internet

Bota

2020-ta, viti i ceremonive të diplomimit në internet

Më: 14 maj 2020 Në ora: 18:04
Foto ilustrim

Gjatë këtij viti akadamik për shkak të pandemisë së koronavirusit ceremonitë e diplomimit të studentëve nuk do të zhvillohen. Por kolegjet dhe universitetet amerikane po ofrojnë zgjidhje alternative. Disa kanë planifikuar t’i zhvillojnë ato më vonë, ndërsa të tjerë kanë menduar për ceremoni virtuale diplomimi. Për shumë studentë emocioni i këtij momenti do të humbasë përgjithmonë.

Për Juliana Bain, katër vitet e studimit në universitetin “Cornell” ishin të mbushura me entuziazëm e punë të palodhur. Ajo mezi priste diplomimin planifikuar për në muajin maj për të festuar përfundimin me sukses të kolegjit.

“Diplomimi zgjat tre ditë. Ka shumë ngjarje që zhvillohen gjatë atyre ditëve, por më i rëndësishëm është momenti i diplomimit. Në fillim të saj një personalitet i rëndësishëm u drejtohet studentëve. Ai është zakonisht një person i famshëm, në të shkuarën ka qenë ish-Nënpresidentin Joe Biden, aktori Jim Prank apo personaliteti televiziv Bill Nye", thotë Juliana Bain, studente e universitetit “Cornell”.

Ndërsa priste të merrte një ftesë me postë për ceremoninë e diplomimit, Bain, sikurse mijëra të diplomuar të tjerë, mori njoftimin se aktiviteti ishte anuluar.

"Ne e dinim që diplomimi i majit do të anulohej pak përpara se të na vinte njoftimi zyrtar, pasi shumë prej shkollave prestigjioze si ato të grupimit “Ivy League” kishin marrë vendime të ngjashme për anulim".

Në mes të muajit mars universitetet nisën të anulojnë ceremonitë e diplomimit, mes tyre shkolla si Yale, Columbia dhe Instituti i Masaçusetsit për Teknologji (MIT). Tashmë sfida është se si të mund ta festosh këtë ditë nga shtëpia.

Universiteti i “Harvardit” do t'i zhvillojë të gjitha ngjarjet zyrtare në internet, shkolla universitare e studimeve ndërkombëtare të avancuara “Johns Hopkins” do të bëjë të njëjtën gjë.

"E morëm menjëherë vendimin që të zhvillojmë ceremoni virtuale, por gjithashtu u premtuam studentëve se kur të jetë e mundur për t'i mbledhur ata sërisht fizikisht, do të bëjmë diçka”, Elliott Cohen, Dekan në Universitetin Johns Hopkins

Megjithëse shumë prej ceremonive zyrtare të kolegjeve dhe universiteteve janë parashikuar të zhvillohen në të ardhmen, është shumë herët për të përcaktuar një datë fikse. Universiteti i Bostonit për shembull, ka në plan t’i mbajë dyert e mbyllura deri në janar të vitit 2021.

Lynn Pasquerella, presidente e Shoqatës së Kolegjeve dhe Universiteteve amerikane thotë se ceremonitë e anuluara janë një burim zhgënjimi jo vetëm për të diplomuarit, por për të gjithë sistemin arsimor në përgjithësi.

"Ceremonitë e diplomimit janë të rëndësishme jo vetëm sepse janë një kremtim i arritjeve akademike të të diplomuarve, por sepse ato bashkojnë komunitetin rreth traditash të përbashkëta. Shpesh ato përkojnë me momentin që studentët bëhen të gjithë bashkë, ata mund të kthehen në kampus e të reflektojnë mbi atë se si u transformua jeta e tyre përmes arsimit të lartë”.

Të diplomuarit thonë se ata e mirëkuptojnë vendimin e universiteteve si rrjedhojë e pandemisë. Ata shpresojnë të marrin maksimumin nga përvoja e tyre në internet./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat