Izolimi nuk mjaftoi për të mbrojtur nga koronavirusi fshatin indigjen në Amazonë

Bota

Izolimi nuk mjaftoi për të mbrojtur nga koronavirusi fshatin indigjen në Amazonë

Më: 23 maj 2020 Në ora: 16:48
Amazonë

Tres Unidos, fshati indigjen në pyjet e Amazonës në Brazil, i bllokuar për të gjithë vizitorët, ka shpresuar që izolimi do ta mbajë të sigurt. Por koronavirusi ka arritur edhe në këtë fshat.

Ka arritur me shumë mundësi përmes Rio Negros, lumit gjarpëror që lidh fshatin Tres Unidos me qytetin më të madh të Amazonës, Manaus, e që është pesë orë larg udhëtim me barkë.

Lumenjtë vlerësohen vetë jeta për këto komunitete të largëta, por tani po sjellin edhe virusin.

Waldemir da Silva, udhëheqësi i fshatit, i njohur më shumë si Tuxuau Kambeba, ka thënë se virusi erdhi qetë, sikur të bartej nga era.

“Virusi është i pabesë”, ka thënë ai. “Kemi filluar të sëmuremi dhe kemi menduar se është një ftohje e keqe. Por njerëzit u bënë më keq. Falënderojmë Zotin që fëmijët nuk janë prekur”, ka shtuar 61-vjeçari për Reuters.

Drama e 35 familjeve të fisit Kambeba ka prekur gjithë bashkësitë indigjene nëpër Amazonë. Manausi është një nga qytetet më të goditura në Brazil. Po përdoren varre kolektive për të varrosurit të vdekurit.

Virusi ka sjellë frikë. Frikë sjellë fakti që nuk dihet se kush e ka virusin e po ashtu për shërbimin shëndetësor të zbehtë. Ka frikë për të ardhmen e njerëzve indigjenë.

Tre persona kanë dalë pozitiv së fundi, kurse numri është rritur në 13 në fshatin me 106 banorë.

“Ne jemi frikësuar se i gjithë fshati është infektuar pasi shumë njerëz kanë pasur simptoma dhe ne nuk kemi pasur mënyrë për të ditur nëse njerëzit janë të infektuar”, ka thënë teknikja mjekësore, Neurilene Kambeba, që ka kryer testet e fundit.

“Ne po luftojmë që virusi të zhduket dhe që që asnjë mos të vdes, pasi Manaus është shumë larg dhe ne mund të mos arrijmë atje për të shpëtuar pacientët në gjendje kritike”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat