Koronavirusi nëpër botë/ Si është situata në Meksikë, Indi dhe Rusi

Bota

Koronavirusi nëpër botë/ Si është situata në Meksikë, Indi dhe Rusi

Më: 1 qershor 2020 Në ora: 17:40
Foto ilustrim

Në Meksikë gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 151 vdekje lidhur me koronavirusin e ri (COVID-19).

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë me 151 vdekjet e shënuara në 24 orët e fundit numri i të vdekurve si pasojë e koronavirusit është rritur në 9.930. Ndërsa me 3.152 raste të reja është rritur në 90,664 numri i rasteve me COVID-19 në vend.

Numri i vdekjeve nga COVID-19 në Meksikë tejkaloi për herë të parë shifrën 500 më 27 maj. Në Meksikë rasti i parë me COVID-19 u regjistrua më 28 shkurt, ndërsa vdekja e parë lidhur me virusin më 19 mars.

Ndërkohë, numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) në Indi ka tejkaluar shifrën 190 mijë. Sipas faqes së internetit “Worldometer”, e cila përpilon të dhënat në lidhje me pandeminë, në 24 orët e fundit janë konfirmuar 8.392 raste të reja me ç’rast numri i rasteve është rritur në 190.791.

Gjatë 24 orëve të fundit nga COVID-19 kanë humbur jetën 182 persona duke çuar në 5.408 numrin e viktimave. Në Maharashtra, rajonin më të prekur nga virusi, ka arritur në 67.655 numri i rasteve e cila ndiqet nga rajoni i kryeqytetit kombëtar që përfshin Tamil Nadu me 22.333 raste, New Delhi me 19.844 dhe rajonet e tjera përreth si dhe nga rajoni Gujarat me 16.779 raste.

Nga ana tjetër, Rusia sot ka regjistruar më shumë se 9.000 raste të reja me koronavirusin e ri (COVID-19) dhe mbi 100 vdekje në ditën e dytë radhazi.
Të paktën 9.035 raste të reja me COVID-19 u regjistruan gjatë 24 orëve të fundit, duke çuar numrin në 414.878, bëri të ditur Task-forca emergjente.

Gjatë periudhës së njëjtë virusi mori jetën e 162 personave, krahasuar me 138 një ditë më parë, duke rritur numrin e vdekjeve në 4.855. Që nga fillimi i pandemisë, në Rusi gjithsej 175.877 persona janë shëruar me sukses nga COVID-19.

Javën e kaluar, qeveria ruse hoqi kufizimet e izolimit duke thënë se situata është stabilizuar. Transporti ajror ndërkombëtar dhe hekurudhor ende është i pezulluar.

Dy zyrtarë të lartë rusë janë duke u trajtuar nga koronavirusi, ndërsa katër të tjerë janë shëruar.

– Nga COVID-19 humbën jetën 5 gazetarë

Kreu i Shoqatës së Gazetarëve të Rusisë, Vladimir Solovyov, njoftoi se gjatë pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) në vend janë sëmurë më shumë se 400 gazetarë dhe 5 të tjerë kanë humbur jetën.

Pasi vuri në dukje se ka mundësi që numri i gazetarëve të vdekur të rritet në 6, Solovyov theksoi që në Kaliningrad pak kohë më parë ka humbur jetën një gazetar me dyshimin për COVID-19, por se ende nuk është konfirmuar shkaku i vdekjes.

“Sipas të dhënave të Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, nga COVID-19 kanë humbur jetën mbi 60 gazetarë nga 30 vende në të gjithë botën”, deklaroi Solovyov.

Pandemia ka marrë më shumë se 372.100 jetë në të gjithë botën që nga shfaqja në Kinë dhjetorin e kaluar. SHBA, Brazili dhe Rusia aktualisht janë vendet më të goditura në botë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat