Franca thotë se e ka vrarë liderin e Al-Qaeda-s për Afrikën Veriore, Abdelmalek Droukdel

Bota

Franca thotë se e ka vrarë liderin e Al-Qaeda-s për Afrikën Veriore, Abdelmalek Droukdel

Më: 6 qershor 2020 Në ora: 10:16
Abdelmalek Droukdel

Autoritetet franceze kanë thënë se forcat e këtij shteti e kanë vrarë liderin e grupit Al-Qaeda për Afrikën Veriore, Abdelmalek Droukdel, gjatë një operacioni të zhvilluar në Mali.

Ministrja franceze e mbrojtjes, Florence Parly, tha se Droukdel dhe pjesëtarët e rrethit të tij të ngushtë janë vrarë të mërkurën në pjesën veriore të Malit, shkruan “BBC”.

Ajo shtoi se forcat franceze e kanë kapur një komandant të lartë të ISIS-it në Mail gjatë një operacioni të zhvilluar muajin e kaluar.

Si udhëheqës i grupit Al-Qaeda në të ashtuquajturin Maghrebi Islamik, Droukdel ishte përgjegjës për të gjitha degët e grupit në Afrikën Veriore.

Abdelmalik Droukdel ka luftuar edhe kundër trupave sovjetike në Afganistan dhe besohet se figurë frymëzuese e ka pasur ish-liderin e Al-Qaeda-s në Irak, Abu Musab al-Zarqawi.

Nën udhëheqjen e tij, militantët e këtij grupi kanë kryer disa sulme të përgjakshme, përfshirë sulmin e vitit 2016 në një hotel në Burkina Faso, ku 30 persona ishin vrarë dhe 150 të tjerë ishin plagosur.

Në vitin 2012, ai u dënua në mungesë me vdekje nga një gjykatë në Algjeri nën akuzën për vrasje, pjesëmarrje në organizatë terroriste dhe sulme me mjete shpërthyese.

Këto akuza lidheshin me tri sulme me bomba në kryeqytetin algjerian në vitin 2007, kur ishin vrarë 22 persona dhe ishim plagosur mbi 200 të tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat