Australi: Peshkaqeni i kafshoi këmbën, vdes serfisti

Bota

Australi: Peshkaqeni i kafshoi këmbën, vdes serfisti

Më: 7 qershor 2020 Në ora: 18:10
Foto ilustrim

Në Australi janë rritur sulmet vdekjeprurëse me peshkaqenë. Tre viktima kanë humbur jetën këtë vit, rasti më i fundit, një serfist 60-vjeçar.

Kontakti me një peshkaqen në ujërat e Australisë ka përfunduar në tragjedi për një serfist australian.

Viktima i moshës rreth 60 vjeç u sulmua paraditen e së dielës në një nga plazhet juglindore të vendit.

Mësohet se një peshkaqen i bardhë me gjatësi trupore rreth 3 metra ndoqi dhe qarkoi tre persona teksa ata ushtroheshin me dallgët, duke përmbysur serfin e njërit prej tyre e duke kafshuar kofshën e majtë të viktimës.

Serfistët që e shoqëronin dhe disa dëshmitarë ndërhynë kundër peshkut grabitqar për ta shpëtuar 60-vjeçarin.

Edhe pse u arrit të nxirrej nga uji, ai nuk i mbijetoi dot plagëve.

"Veprimet i këtyre njerëzve për shpëtimin e zotërisë nuk mund të konsiderohen veçse heroike. Por në mënyrë tragjike ai ndërroi jetë në vendngjarje. Plaga në këmbën e tij të majtë qe e rëndë."

Autoritetet vendëse njoftuan mbylljen me 24 orë të gjithë perimetrit të plazhit për pushuesit.

Pas kërkimeve disaorëshe u njoftua se peshkaqeni që shkaktoi vdekjen e serfistit ishte pikasur nga ajri por pa mundur të ndalej apo qëllohej.

Në Australi, sulmet e peshkaqenëve rrallë rezultojnë fatale për njerëzit.

Vendi raporton mesatarisht 1 vdekje të tillë në vit ndërsa në rajonin e Nju-Sauth-Uellsit, nga 204 incidente vetëm 66 kanë përfunduar në vdekje përgjatë 150 viteve të fundit.

Megjithatë, rasti i fundit e çon në tre numrin e viktimave nga peshqit grabitqare për këtë vit, pas atij të një zhytësi në muajin janar dhe vrasjes së një studiuesi të ri të botës shtazore në muajin prill.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat