Rinia amerikane: Lufta kundër racizmit kërkon punë e kohë

Bota

Rinia amerikane: Lufta kundër racizmit kërkon punë e kohë

Më: 10 qershor 2020 Në ora: 06:52
Ilustrim

Raequan Johnson ndjehet i revoltuar, ashtu si shumRi bashkëmoshatarë të tij. Vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd gjatë arrestit i kujton sa probleme kërkojnë vëmendje në SHBA. Floyd u mbajt i mbërthyer përtokë për më shumë se tetë minuta nga një polic i bardhë që i kishte vënë gjurin në qafë. “Ndjehem i zhgënjyer se po na duhet kaq shumë kohë për të eliminuar shënjestrimin mbi baza racore dhe disktriminim racor,” thotë 19-vjeçari Johnson.

Shenjestrimi mbi baza racore ndodh kur polici apo një përfaqësues tjetër i rendit paragjykon fajëtor apo të dyshuar dikë thjesht duke u nisur nga raca. Statistikat ndryshojnë në zona të ndryshme, por disa prej tyre tregojnë se personat me ngjyrë arrestohen 3-10 herë më shpesh se amerikanët e bardhë në qytetet amerikane. “Kjo ka vazhduar prej brezash; jemi të velur prej saj. Sa jetë duhet të merren nga ky paragjykim,” pyet Johnson.

Pasi filloi të qarkullonte videoja e arrestimit të George Floyd, miliona vetë, fillimisht kryesisht me ngjyrë, u bashkuan në protesta, përfshirë të bardhë dhe të ngjyrave të tjera duke kërkuar ndaljen e racizmit dhe të përdorimit të forces së tepruar nga policia. Të rinjtë amerikanë kanë qenë në reshtin e parë të këtyre protestave. “Mënyra më e mirë është të qëndrojmë të bashkuar në një mënyrë që ndihmon përparimin e lëvizjes,” thotë 18-vjeçari D’Andre Leid, 18, në shkollën e mesme Eleanor Roosevelt në një periferi të Uashingtonit.

Media sociale u mbush me komente nga të rinj si 21-vjeçarja Aliya Cruise, e cila flet për mënyrat e ndryshme për të rritur ndërgjegjësimin për reagimin me force të policisë apo diskriminimin në SHBA. “Jam aktive në median sociale. Nënshkruaj peticione, dhuroj fonde për kauza të ndryshme. Po ashtu edhe punoj me sa mundem që të jem e mire-informuar për temat,” shkruan ajo. “Tani që kam mbushur moshën votoj për ata që premtojnë ndryshime të nevojshme, përfshirë edhe masa kundër racizmit,” thotë Aliya.

Kur ishte e vogël, ajo kujton se në familje diskutonin për racën, etnicitetin dhe identitetin. E ëma është afrikano-latine nga raca dhe portorikane nga etniciteti. I ati është afrikano-amerikan dhe irlandez. “Jam rritur në një mjedis ku nuk e njihja urrejtjen. Mësova për racizmin, seksizmin dhe homofobinë; prindërit më shpjegonin që në moshë të vogël çfarë ndikimi kishin. E di ç’do të thotë të gjykohesh, thjesht nga paraqitja dhe jo nga mendja apo zemra që ke”. Përveç përpjekjeve për të mobilizuar të tjerët, Aliya Cruise është active në Shoqatën e Studentëve me Ngjyrë në Universitetin Stetson dhe ka qenë anëtare e Këshillit Studentor Multikulturor si dhe në organizatën Woke për angazhimin e studentëve për këto tema.

“Këto probleme do të vazhdojnë nëse nuk ndryshon asgjë. Prandaj duhet të vazhdojë beteja dhe diskutimi”. Nuk është e lehtë të gjenden statistika që analizojnë në thellësi vdekjet e personave nën arrest policer. Një person afrikano-amerikan ka 1 ndër 1000 gjasa të vritet nga policia gjatë jetës, sipas një studimi të publikuar në gusht 2019 nga revista shkencore Proceedings of the National Academy of Sciences. Kjo shifër është 2.5 herë më e lartë se rreziku për një individ të bardhë, thonë autorët.

Gratë afrikano-amerikane, thuhet në studim, kanë 1.4 herë më shumë gjasa se sa gratë e bardha të vriten nga policia. Burrat në përgjithësi kanë 20 herë më shumë gjasa të vriten nga policia krahasuar me gratë. “Në shkallë vendi, grupime dhe organizata të punonjësve të rendit po bashkohen me komunitetet ku shërbejnë në shenjë respekti të ndërsjelltë,” shkruan në llogarinë në Facebook Muzeu Kombëtar i Forcave të Rendit që ndodhet në Uashington.

“Personalisht, mendoj se nevojitet angazhim nga çdo individ. Duhet punë për të sjellë ndryshime në çdo mënyrë të mundshme,” thotë D’Andre Leid. Ndërsa Aliya Cruise ka një mesazh të qartë për bashkëmoshatarët e saj: “Shpresoj se rinia e kupton se këto protesta nuk janë thjesht diçka e modës për momentin. Këto janë një betejë që duhet ta vazhdojmë gjithë jetën,” thotë ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat