Gjermania kërkon sanksione të BE kundër Rusisë

Bota

Gjermania kërkon sanksione të BE kundër Rusisë

Më: 15 qershor 2020 Në ora: 02:44
Angela Merkel

Gjermania kërkon në BE gjithnjë e më shumë masa të ashpra kundër hakerave rusë për shkak të sulmit virtual ndaj Bundestagut. Berlini fajëson shërbimin ushtarak rus dhe flet për „zhvillim të luftës hibride“.

Angela Merkel është e njohur për mënyrën e saj të ftohtë dhe pragmatike. Më 13 maj kancelarja gjermane në mënyrë të pazakontë u shfaq emocionale në pultin e fjalimit para Bundestagut. Një politikane e opozitës e pyeti, se çfarë të dhënash ka për sulmin e  hakerave ndaj Bundestagut në vitin 2015, ku u vodhën të dhëna nga zyra e Merkelit si deputete. Kancelarja foli për „evidenca të forta" që qendra ruse ndodhen pas vjedhjes të të paktën 16 gigabyte dokumente dhe E-Mail-e nga rrjeti i Bundestagut, mes tyre mijëra maile të zyrave të deputetëve. Ajo e lidhi këtë sulm kibernetik me një „strategji të zhvillimit hibrid të luftës, që përmban zhvillim të luftës për desorientim kibernetik dhe shtrembërim të fakteve". „Ta them shumë hapur: Më dhemb kjo", sepse përpiqem për një marrëdhënie më të mirë me Rusinë", tha Merkel.

Fajësimi publik

Ky pozicionim i kancelares shënon një kthesë në pozicionimin publik ndaj sulmeve kibernetike ruse. Një pikë kthese, që u iniciua ditë më parë nga Prokuroria e Përgjithshme. Peter Frank kishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar kundër Dmitrij Badin. Hetuesit janë të bindur. 29-vjeçari rus qëndron pas sulmit spektakolar të sistemev IT të Bundestagut në pranverën e vitit 2015. Softwar-i dëmtues kishte depërtuar kaq thellë në rrjet, saqë ai duhej të stakohej i gjithi dhe të ringrihej nga e para.

Masa politike e pasuan këtë urdhërarresti. Në fund të majit u thirr në Ministrinë e Jashtme në Berlin, ambasadori rus, Sergej J. Netshajev. Atij iu bë e ditur se Berlini "do të angazhohet në Bruksel për përdorimin e regjimit të sanksioneve kibernetike të BE kundër përgjegjësve për sulmin ndaj Bundestagut, mes tyre edhe Herr Badin."

Ky mekanizëm sanksionesh në raste sulmesh kibernetike u miratua nga Këshilli i Europës më 17 maj 2019. Në rast sulmesh kibernetike që kanë "pasoja të rënda", BE mund të vendosë sanksione kundër personave dhe institucioneve që janë përgjegjës. Sanksionet parashikojnë ndalimin e udhëtimit në BE ose ngrirje të pasurive.

Julia Schütze, menaxhere e projektit për Politikën e Sigurisë Kibernetike në institutin e Berlrinit, „Fondacioni për Përgjegjësi të Re", e quan këtë masë para së gjithash një  "simbolikë politike strategjike." Nga korriku Gjermania mban presidencën e radhës në BE. Ministria e Jashtme i konfirmon Deutsche Welles, se qeveria gjermane ka përgatitur "propozime për një listë sanksionesh në lidhje me sulmin e hakerave dhe është në shkëmbim me partnerët e BE për procedurat e parashikuara.”

Image

Adresë banimi në shërbimin sekret

Edhe FBI ngre akuza të rënda kundër hakerit Dmitrij Badin, lindur në Kursk, 500 km larg Moskës. Ai me gjasë ndodhet në listën e personave që në vitin 2016 vodhën E-Mail-et e kandidates Hillary Clinton dhe Partisë Demokratike dhe në fund i publikuan ato, për të manipuluar zgjedhjet në favor të Donald Trumpit.

Edhe platforma hulumtuese Bellingcat e lidh Badin me shërbimin ushtarak rus, GRU. Hulumtuesit kanë gjetur se adresa zyrtare e tij është identike me adresen e njësisë GRU, 26165. Kjo njësi njihet si një „kërcënim i vazhdueshëm i zhvilluar", (APT -Advanced Persistent Threat). Ky grupim akuzohet edhe për sulme të tjera, edhe ndaj agjencisë së antidopingut, WADA, OSBE apo NATO-s. 

Megjithatë sigurimi i provave për sulmet kibernetike është i vështirë. Në hapësirën virtuale gjurmët fshihen ose vendosen qëllimisht shtigje dezorientuese. Ka momente dyshimi dhe të dhëna teknike që u mjaftojnë shërbimeve sekrete, kurse gjykatat duan prova të qarta. Për hetuesit gjermanë pati rëndësi ndihma nga Holanda. Kundërspiunazhi i këtij vendi në vitin 2018 zbuloi një sulm ndaj Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, OPCW. Holandezët patën në dorë kështu një numër të dhënash që vlenin për Prokurorinë e Përgjithshme gjermane, thotë Julia Schütze. Të dhëna të qarta që të çonin tek rusi Badin. Gjermania nuk do ta lerë pa shfrytëzuar presidencën e radhës nga 1 korriku, në mënyrë që sulmi ndaj Bundestagut të mos mbetet pa pasoja. / DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat