ShBA-Rusi nisin diskutimet në Vjenë për marrëveshjen e armëve bërthamore

Bota

ShBA-Rusi nisin diskutimet në Vjenë për marrëveshjen e armëve bërthamore

Më: 22 qershor 2020 Në ora: 16:20
Foto

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia filluan diskutimet për t’i zgjatur afatin marrëveshjes ekzistuesve për kontrollin e armëve bërthamore. Nëse do të bihet dakord, afati i marrëveshjes Start do të zgjatet me pesë vjet, ndërkohë ShBA-ja kërkon që në këtë marrëveshje të përfshihet dhe Kina. Thirrjet e vazhdueshme të presidentit Trump janë refuzuar nga Pekini.

Diskutimet për zgjatjen e afatit të marrëveshjes për reduktimin e armëve bërthamore midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë filluan të hënën në Vjenë. Përfaqësuesit e të dy vendeve bënë komente të shkurta kur kapërcyen pragun e Ministrisë së Jashtme të Austrisë, ndërsa zyrtarisht nuk ka ndonjë informacion për negociatat.

Të dërguarit për çështjen bërthamore e bënë të qartë në fillim se temë kryesore do të jenë armët bërthamore, ndërsa synohet që të zëvendësohet marrëveshja ekzistuese START, afati i së cilës skadon shkurtin e ardhshëm.

I dërguari amerikan Marshall Billingslea u mjaftua vetëm me një fjali “do të shohim,” dhe refuzoi të komentonte më gjatë.

Homologu i tij rus, zëvendësministri i Jashtëm Sergei Ryabkov, u tregua gjithashtu i kujdesshëm kur foli me gazetarët: “Le të shohim, ne jemi vazhdimisht shumë optimistë.”

Nga Departamenti i Shtetit dihet vetëm se Billingslea do të qëndrojë në Vjenë për dy ditë, të hënën dhe të martën.

Marrëveshja START i Ri e epokës së administratës Obama, përcakton kufizime për të dyja palët për dislokimin e armëve bërthamore strategjike, jo më shumë se 1,550 për secilën palë. Nëse të dyja vendet bien dakord, marrëveshja ekzistuese do të shtyhet për një afat pesëvjeçar.

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë thirrje të përsëritura që kësaj marrëveshjeje t’i bashkohet edhe Kina, vend i cili dyshohet se ka rreth 300 armë bërthamore. Deri tani propozimi i Trumpit është refuzuar nga Pekini. Edhe në fillim të bisedimeve të hënën, nuk mori pjesë ndonjë zyrtar kinez. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat