Gara e ngushtë zgjedhore në Poloni dhe ndikimi i zotit Trump

Bota

Gara e ngushtë zgjedhore në Poloni dhe ndikimi i zotit Trump

Më: 27 qershor 2020 Në ora: 07:48
Donald Trump dhe Andrzej Duda

Presidenti polak Andrzej Duda shpreson se takimi rreth mesit të kësaj jave me Presidentin amerikan Donald Trump do të jetë përcaktues për fatin e tij në zgjedhje dhe politikën e vendit. Analistët thonë se zoti Duda shpreson se një premtim nga udhëheqësi amerikan për t'i lëvizur trupat amerikane të vendosura në Gjermani drejt Polonisë si dhe theksimi i mbështetjes së tij, do t’i rriste shanset për fitore në zgjedhjet presidenciale të së dielës.

Por nuk është e qartë nëse kjo mbështetje, e cila ka thyer normat diplomatike si dhe ka nxitur kritika si nga ligjvënësit amerikanë të Partisë Demokrate ashtu edhe nga kundërshtarët politikë në vend të zotit Duda, të cilët e akuzuan udhëheqësin amerikan për ndërhyrje në zgjedhje, do të jenë të mjaftueshme për t'i siguruar zotit Duda një mandat i dytë.

Sipas sondazheve rezultati përfundimtar i një fushate zgjedhore të pakontrolluar e të polarizuar, e cila është përqendruar ditët e fundit në premtimin e zotit Duda për të ndalur edukimin mbi çështje të LGBT-së në shkolla dhe tek refuzimi i tij për të miratuar martesat brenda së njëjtit seks apo birësimet nga çiftet homoseksuale është shumë i ngushtë.

Zoti Duda gëzonte një epërsi të dukshme në sondazhet vetëm disa javë më parë, por kjo duket se është venitur, pjesërisht falë ndikimit ekonomik të koronavirusit. Kryetari liberal i bashkisë së Varshavës Rafal Trzaskowski, rivali i tij kryesor dhe kandidati i Aleancës Qytetare, blloku kryesor i opozitës qendrore të vendit, po bën një fushatë energjike. Anketat sugjerojnë se 48-vjeçar Rafal Trzaskowski i arsimuar në universitetin e Oksfordit, ka shanse për fitore në rast të një balotazhi, nëse partitë e opozitës bashkohen krah tij. Zoti Duda pritet të kryesojë votimet e së dielës, por pa arritur të sigurojë një shumicë në raundin e parë, gjatë të cilit do të garojnë njëmbëdhjetë kandidatë gjithësej.

Kompania e sondazheve "Evropa zgjedh" parashikon se ai do të marrë 41 për qind të votave, që nuk janë aq i nevojiten për të shmangur një balotazh pas dy javësh mes tij dhe me sa duket zotit Trzaskowski.

Zoti Duda ishte vizitori i parë i huaj i zotit Trump prej muajit mars kur pandemia e koronavirusit goditi SHBA-në. Vizita e presidentit polak këtë javë në Shtëpinë e Bardhë u mirëprit nga mbështetësit që e shohin si një mundësi për fitore në zgjedhje. Ata kanë varur shpresat tek vizita në Uashington për të konsoliduar mbështetjen për të në vendin me një qasje të fortë pro-amerikane. Zoti Trump dhe Zoti Duda, të dy udhëheqës populistë, kanë krijuar lidhje të ngushta që nga viti 2017 kur presidenti amerikan vizitoi Varshavën.

“Populli i Polonisë ka një vlerësim të lartë për mua. Nuk mendoj se ai ka nevojë për ndihmën time. Ai do të dalë shumë mirë me ose pa ne", tha presidenti amerikan gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me zotin Duda. "Nuk mendoj se kemi qenë ndonjëherë më pranë Polonisë sesa tani", shtoi ai.

Zoti Trump hodhi idenë mbi mundësinë e një aleance edhe më të fortë me Poloninë, nëse zoti Duda rizgjidhet. Por Wawrzyniec Smoczynski, një ekspert i universitetin privat të Varshavës “SWPS” ka dyshime në lidhje me nxitjen elektorale që zoti Duda shpreson të ketë pas vizitës në Uashington.

"Kjo nuk do ta ndihmojë atë shumë në zgjedhje", tha ai për radio TOKFM të Polonisë.

Zoti Duda kishte shpresuar të përqendrohej kryesisht në çështjet ekonomike, sipas këshilltarëve të tij të fushatës. Para pandemisë, ekonomia e vendit po rritej me gati pesë për qind. Por pandemia ka shkaktuar rënie ekonomike dhe Polonia po shkon drejt recesionit të saj të parë që nga fundi i komunizmit. Kjo ka bërë që ai ta vërë theksin tek "vlerat e familjes" dhe duke polarizuar çështjet kulturore.

Përqendrimi i presidentit polak tek të drejtat e komunitetit LGBT dhe vlerat liberale kanë kënaqur bazën e mbështetësve të tij konservatorë në pjesën rurale të Polonisë dhe në qytezat e vogla. Por aktivitët për të drejtat e homoseksualëve dhe liberalët në zonat urbane janë zemëruar nga zoti Duda që e konsideron komunitetin LGBT si "një ideologji të huaj". Ata e kanë krahasuar qëndrimin e zotit Duda mbi këtë çështje me indoktrinimin e vënë re gjatë epokës sovjetike.

Zoti Trzaskowski ka kandiduar nën parullën "Kupa u mbush" dhe është përqendruar tek sundimi i ligjit, çështjet e korrupsionit dhe vlerat liberale evropiane. Por sfida e tij kryesore është ta zgjerojë ndikimin e tij përtej Varshavës duke përparuar tek votuesit e qyteteve të vogla të vendit. Zoti Trzaskowski ka qenë i kujdesshëm në mbështetjen e tij për të drejtat e homoseksualëve.

"Ai është i talentuar dhe një intelektual plotësisht evropian, por jo domosdoshmërisht një zgjedhje e duhur", tha Adam Michnik, redaktor i gazetës liberale “Wyborcza” javën e kaluar./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat