Cilat janë interesat ruse në Afganistan?

Bota

Cilat janë interesat ruse në Afganistan?

Më: 30 qershor 2020 Në ora: 22:24
Trupat amerikane në Afganistan - Foto nga arkivi

Po vazhdojnë polemikat mbi pretendimet e raportuara se oficerët rusë të sigurimit u kanë ofruar shpërblime talibanëve për vrasjen e trupave amerikane në Afganistan.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se raportet e inteligjencës nuk konsideroheshin të besueshme. Kremlini dhe talibanët kanë kundërshtuar këto raporte që pretendojnë se oficerët e GRU (inteligjencës ushtarake ruse) kanë paguar ose ofruar para për vrasjen e ushtarëve amerikanë.

Megjithatë, shumë pyetje vazhdojnë të qarkullojnë mbi këto akuza.

Ndërkohë shumë pyetje po ngriten edhe për motivet e vërteta të Kremlinit në vendin e shkatërruar nga lufta.

Megjithëse nuk është më një fqinj i drejtpërdrejtë, Rusia ndan një histori të afërt me Afganistanin.

Vendimi fatal i ish-Bashkimit Sovjetik për të pushtuar fqinjin e saj të varfër në dhjetor të vitit 1979, shihet nga shumë njerëz, si faktor që ka kontribuar në rrëzimin e komunizmit dhe shpërbërjen e ish-Bashkimit Sovjetik, 12 vjet më vonë.

Në vitet 1990, Rusia identifikohej me përpjekjet për parandalimin e terrorizmit, trafikut të drogës dhe përhapjen e luftës afgane në Azinë Qendrore. Këto ishin interesat e saj kryesore. Ajo bashkëpunoi dhe mbështeti Aleancën Veriore Anti-Talibane për të arritur këto objektiva.

Kremlini mirëpriti rrëzimin nga pushteti të regjimit taliban, si rezultat i një sulmi ushtarak të udhëhequr nga SHBA-ja, në fund të vitit 2001, i cili u nxit nga sulmet terroriste të 11 shtatorit (9/11) kundër Shteteve të Bashkuara.

"Në lidhje me Afganistanin, Rusia udhëhiqet nga qëllimet mjaft specifike dhe pragmatike të një karakteri strategjik, politik dhe ekonomik, i cili në përgjithësi përkon me interesat e vetë Afganistanit", theksoi ish-ministri i Jashtëm rus, Igor Ivanov, në një opinion të botuar në fillim të vitit 2002.

Pse Rusia hyri në konkurrencë me Shtetet e Bashkuara në Afganistan?

Pas 11 shtatorit, për më shumë se një dekadë, presidenti rus, Vladimir Putin, e vlerësoi Uashingtonin dhe aleatët e tij transatlantikë për marrjen e "barrës" së luftimit të terrorizmit në Afganistan dhe u bëri thirrje atyre "ta bartin atë deri në fund".

Por, pasi operacionet e mëdha luftarake të NATO-s përfunduan në fund të vitit 2014, Kremlin ndryshoi drejtim, duke dëmtuar misionin amerikan në Afganistan.

Ky ndryshim në qasje e kishte bazën pjesërisht në dëshirën e Putinit për të rivendosur statusin e një fuqie të madhe të Rusisë. Por arsyeja kyçe ishte kryesisht për shkak të rivalitetit me Perëndimin në Ukrainë dhe më vonë në Siri, ku Rusia u bashkua me Iranin në përpjekjet për të mbrojtur regjimin e presidentit, Bashar al-Asad.

Nga fundi i vitit 2015, Zamir Kabulov, i dërguari i posaçëm i Putinit në Afganistan, po kërkonte hapur kontakte me talibanët. Ai i tha Interfax-it në dhjetor të atij vitit se interesat e Moskës në Afganistan "përkojnë në mënyrë objektive" me ato të talibanëve në luftimin e militantëve ekstremistë të Shtetit Islamik (IS), të cilët Moska po i luftonte në Siri.

Disa zyrtarë rusë pretenduan se Kremlini po bashkëpunonte në fushën e inteligjencës dhe po shkëmbente informacione me talibanët kundër IS-it.

Çfarë dëshiron Rusia në Afganistan?

Në dukje të parë, anti-terrorizmi ende kryeson interesat e deklaruara të Moskës në Afganistan.

"Situata në Afganistan ka qenë një nga çështjet kryesore në agjendën tonë me Uashingtonin që kur kemi filluar dialogun SHBA-Rusi mbi luftën kundër terrorizmit, në dhjetor të vitit 2018", ka thënë në muajin maj për Interfax, zëvendës-ministri i Jashtëm rus, Oleg Siromolotov.

Ai gjithashtu mirëpriti lajmin kur Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e vendosi në listën e sanksioneve degën afgane të IS-it të quajtur IS Khorasan. Vendimin e majit të vitit 2019, ai e quajti "shëmbull të mirë të bashkëpunimit efektiv" me Shtetet e Bashkuara.

Rusia dhe Kina kanë mbështetur përpjekjet e Uashingtonit për t'i dhënë fund luftës në Afganistan përmes negociatave midis talibanëve dhe qeverisë së Afganistanit. Muajin e kaluar, ministria e Jashtme ruse mirëpriti një armëpushim të shkurtër me rastin e festës së myslimanëve të Fitër Bajramit dhe bëri thirrje për "heqjen e të gjitha pengesave për një zgjidhje gjithëpërfshirëse të problemit afgan."

Hameed Hakimi, një bashkëpunëtor i Institutit Chatham House me bazë në Londër, thotë se Rusia tani është e prirur të kultivojë rrjetet e saj në Afganistan për të përfituar nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina.

Ai i tha Radios Evropa e Lirë se ky është një largim nga periudha e shkurtër pas vitit 2001, kur kishte një afrim të dukshëm të interesave midis Moskës dhe Uashingtonit mbi "stabilizimin e Afganistanit".

Hakimi thotë se Moska është akoma e shqetësuar për trafikun e drogës, praninë e IS-it në Afganistan dhe kërcënimet që kanë në shënjestër aleatët e saj të Azisë Qendrore.

"Është gjithashtu e çelës i ndikimit të tyre më të gjerë rajonal mbi Azinë Qendrore, veçanërisht Taxhikistanin, i cili ndan një kufi me Afganistanin", tha ai.

A është Rusia e gatshme të luajë një rol më të madh në Afganistan?

Përpjekjet e fshehta të Rusisë - përfshirë ndihmën e saj të kufizuar për Kabulin dhe kontaktet e mundshme me talibanët - nuk ka gjasa t'i kthejnë rusët në një lojtar kryesor në Afganistan.

Për dallim nga Ukraina ose Siria, qeveria aktuale afgane dhe madje edhe talibanët nuk ka gjasa që të kërkojnë ose të mirëpresin një prani ushtarake ruse në Afganistan, pasi pushtimi i dështuar Sovjetik i vendit të tyre është ende shumë i freskët në kujtesën kolektive afgane.

Për Moskën, financimi i një aventure tjetër ushtarake jashtë vendit, në këtë kohë në mes të një pandemie në rritje të koronavirusit, mund të ishte një mbingarkesë.

"Rusia, mbase do të luajë një rol të kufizuar të drejtpërdrejtë në armatosjen ose financimin - ose të dyja bashkë - të forcave miqësore brenda grupeve të armatosura dhe politike të Afganistanit", thotë Hakimi.

"Por, Rusia ka të ngjarë të mbetet një fuqi rajonale në problemet e vazhdueshme që ka Afganistani duke mos pasur qëllim për një prani të drejtpërdrejtë atje", tha ai.

Marvin Weinbaum, një ish-analist i inteligjencës në Departamentin amerikan të Shtetit në SHBA, pajtohet me këtë vlerësim. Ai thotë se Moska po kërkon të forcojë ndikimin e saj pas një tërheqjeje eventuale të SHBA-së.

"Një tërheqje amerikane, Rusia e sheh si një mundësi për të ushtruar ndikim, pa pasur asnjë detyrim të madh në Afganistan", i tha ai Radios Evropa e Lirë.

Polemikat e fundit

Polemikat mbi përpjekjen e supozuar ruse për të nxitur sulmet e talibanëve mbi forcat e SHBA në Afganistan ka nxjerrë në pah rolin e parandaluesve të suksesit të kundërshtarëve në katër dekadat e luftimeve në Afganistan. Ajo tregon brishtësinë e proceseve të paqes të përqendruara në marrëveshje diplomatike dhe pazare politike.

Weinbaum thotë se polemika është domethënëse për efektin e saj në marrëdhëniet aktuale SHBA-Rusi, por do të ketë një ndikim të kufizuar në Afganistan.

"Përveç bërjes më të vështirë të bashkëpunimit midis dy shteteve në promovimin e procesit të paqes në Afganistan, kjo ka pak rëndësi në formësimin e së ardhmes së afërt të Afganistanit", tha ai.

Hakimi shton se Moska aktualisht nuk mund të minojë ose të tejkalojë aftësinë ushtarake të forcave të NATO-s të udhëhequra nga SHBA-ja në Afganistan.

"Në qoftë se amerikanët nuk lënë një vakum të papritur ushtarak dhe të ndihmës për zhvillimin e Afganistanit, përkeqësimi i marrëdhënieve ndërmjet amerikanëve dhe rusëve, nuk do të ndjehet aq shumë brenda Afganistanit", tha ai.

Megjithatë, ai sheh një ndikim rajonal më të theksuar.

"Që Afganistani t'i përmirësojë marrëdhëniet me fqinjët e Azisë Qendrore - veçanërisht me Taxhikistanin roli i Rusisë është i rëndësishëm. Afganistani ka nevojë për lidhje më të mira rajonale dhe marrëdhënie për të siguruar që mund të zbutë vështirësitë politike dhe ekonomike", tha ai.

Hakimi përmendi bisedimet e paqes me Talibanët, tërheqjen e mëtejshme të trupave amerikane dhe problemet ekonomike të rënduara nga pandemia e koronavirusit si sfida të menjëhershme kryesore në formimin e së ardhmes së Afganistanit./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat