Rihapen piramidat në Egjipt/ Presin turistët e parë pas mbylljes

Bota

Rihapen piramidat në Egjipt/ Presin turistët e parë pas mbylljes

Më: 2 korrik 2020 Në ora: 13:22
Foto

Egjipti ka rihapur piramidat e tij të famshme të Gizës pas tre muajsh mbylljeje, ndërsa po përpiqet të rifillojë industrinë jetësore të turizmit të gjunjëzuar nga koronavirusi i ri.

Dhjetëra turistë të entuziazmuar bënin selfie, ndërsa mrekulloheshin me sajtin më të famshëm dhe më të lashtë në Egjipt. Piramidat, janë atraksioni i parë turistik i vendit që rihapen, bashkë me muzeun egjiptian pranë sheshit Tahrir në Kajro.

Autoritetet shpresojnë që pushuesit t’i drejtohen Egjiptit, pasi fluturimet ndërkombëtare rifilluan të martën.

Pjesa më e madhe e vendit arab u vendos nën izolim tremujor, pasi rasti i parë i Covid-it u raportua më 14 shkurt. Vendi mbylli muzetë dhe sajtet arkeologjike, bashkë me dyqanet, kafenetë dhe restorantet, në mënyrë që të vinte nën kontroll shpërthimin. Egjipti regjistroi më shumë se 68 mijë raste koronavirusi dhe rreth 3 mijë viktima.

Pandemia ka qenë një problem i madh për industrinë e turizmit në Egjipt që zë një të pestën e GDP-së së vendit dhe punëson rreth tre milionë njerëz. Sektori ka vuajtur pas një dekade trazirash në vend, që nga 2011, kur u rrëzua diktatori i hershëm Hosni Mubarak, me sulme xhihadiste dhe paqëndrueshmëri politike që mbanin larg shumë turistë. Por, ai filloi të ngrinte krye dhe vitet e fundit ka shënuar numra rekord turistësh. Vetëm në 2019, vendin e vizituan 13.6 milionë turistë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat