Skandali me të miturit në Kolumbi, 118 ushtarakë të implikuar në abuzime seksuale nga 2016

Bota

Skandali me të miturit në Kolumbi, 118 ushtarakë të implikuar në abuzime seksuale nga 2016

Më: 2 korrik 2020 Në ora: 14:16
Foto ilustrim

Ushtria kolumbiane u vlerësua vitet e fundit që i dha fund pesë dekadave luftarake me grupet rebele, të cilat prodhuan mbi 260 mijë të vrarë. Por pjesëtarët e saj tashmë akuzohen për krime të shumta seksuale, që nuk shihen më si incidente të izoluara.

Implikimi i më shumë se 100 ushtarëve kolumbianë në abuzim seksual të vajzave të mitura ndër vite ka tronditur opinionin publik dhe forcat e armatosura të shtetit amerikanojugor.

Sipas komandantit dhe gjeneralit të ushtrisë kolumbiane, që nga viti 2016, të paktën 118 pjesëtarë dhe zyrtarë të ushtrisë janë përballur me akuza të abuzimit seksual.

45 prej tyre janë shkarkuar nga detyra ndërsa për të tjerët vijojnë hetimet dhe procedurat disiplinore.

Vetëm javën e kaluar 7 ushtarakë u arrestuan për përdhunimin e një minoreje nga fiset indigjene, ndërsa në fundjavë u zbulua se një tjetër adoleshente mbahej prej ditësh pa ujë dhe ushqim në një strehimore ushtarake në mesin e xhunglës, për qëllime seksuale.

"Ajo që po mësojmë këto javë është vetëm maja e ajsbergut e një tragjedie të madhe siç është dhuna seksuale gjatë konflikteve të armatosura në vend. Teksa avancon paqja po dalin në sipërfaqe raste të tilla, por në brigadat të ndryshme dhuna seksuale ka qenë praktikë lufte, dhe trupi i gruas, një fushëbetejë," tregon Ariel Avila, studiues i Fondacionit për Paqe dhe Pajtim në Kolumbi.

Ushtria kolumbiane thotë se do ketë tolerancë zero për çdo pjesëtar të saj të implikuar në raste të abuzimit seksual, duke vijuar njëkohësisht trajnimin e trupës mbi të drejtat e njeriut.

Forcat e armatosura të shtetit në veriperëndim të Amerikës Latine numërojnë rreth 240 mijë pjesëtarë të ushtrisë të cilët prijnë luftën ndaj bandave kriminale dhe guerilasve.

Ekspertët thonë se pasojat e këtyre konflikteve pronësore i kanë vuajtur më së shumti 2 milionë indigjenët e fiseve të ndryshme të shpërndara nëpër vend, kryesisht gratë dhe fëmijët e grupeve afrokolumbiane, të abuzuar fizikisht dhe seksualisht nga të gjitha palët.

Nga muaji i kaluar, në Kolumbi, abuzimi seksual dhe vrasja e të miturve janë vepra të dënueshme me burgim të përjetshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat