Kina dhe Rusia vendosin veto ndaj dërgimit të ndihmës në Siri

Bota

Kina dhe Rusia vendosin veto ndaj dërgimit të ndihmës në Siri

Më: 8 korrik 2020 Në ora: 08:39
Foto

Rusia dhe Kina vendosën veto ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) që do të kishte zgjatur për një vit ndihmën ndërkufitare humanitare për tre milionë sirianë.

Autorizimi, i cili ka hyrë në fuqi që nga viti 2014, do të skadojë të premten, më 10 korrik.

Rezoluta u hartua nga Gjermania dhe Belgjika.

Sipas rezolutës aktuale, ndihma e OKB-së dorëzohet nga Turqia në veriperëndim të Sirisë përmes vendkalimeve kufitare Bab al-Hawa dhe Bab al-Salam.

Sipas OKB-së, rreth 70 për qind nga tre milionë banorët e provincës Idlib kanë nevojë për ndihmë humanitare.

Zyra e OKB-së për Koordinimin e Ndihmës Humanitare (OCHA) ka dërguar 8.468 kolona me ndihma humanitare në Siri që nga janari, duke përfshirë 1.613 përmes Turqisë.

Vitin e kaluar, ndihma humanitare hynte në Siri përmes katër vendkalimeve kufitare, por me veto të Rusisë dhe Kinës, u ndërprenë dërgesat e ndihmave nga vendkalimet kufitare me Jordanin dhe Irakun.

Siria ka qenë e përfshirë në një luftë të egër civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Asadit shtypi protestat prodemokratike në vend.

Sipas të dhënave të OKB-së, që atëherë, qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10 milionë të tjerë janë shpërngulur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat