Protesta kundër qeverisë izraelite për keqmenaxhimin e pandemisë

Bota

Protesta kundër qeverisë izraelite për keqmenaxhimin e pandemisë

Më: 12 korrik 2020 Në ora: 17:35
Foto

Papunësia e lartë dhe mosmarrja e ndihmës së premtuar ekonomike i nxori mijëra izraelitë në rrugët e Tel Avivit për të protestuar kundër qeverisë. Izraeli vendosi një izolim shumë të ashpër në mes të marsit, por ai e ngriti papunësinë në 21%.

Mijëra izraelitë protestuan të shtunën në mbrëmje në Tel Aviv kundër qeverisë dhe e akuzuan atë për keqmenaxhimin e gjendjes së krijuar nga pandemia e koronavirusit. Shumica të rinj, mbushën Sheshin Rabin. Ata mbanin maska, por nuk respektuan masat e distancimit fizik. Protestuesit thanë se mbështetja financiare nga qeveria po vonon, ndërsa shumë vetë janë në vështirësi, sidomos ata të punësuar në biznesin e vogël, zejtarët dhe të vetëpunësuarit.

Qeveria ka premtuar shuma të mëdha financiare për individët dhe bizneset, por paratë nuk janë dhënë ende. Ndërsa të punësuarit në administratë dhe në kompani të mëdha kanë përfituar nga asistenca sociale, të vetëpunësuari nuk kanë marrë ende ndihmën e premtuar.

“Erdha të protestoj kundër qeverisë izraelite që nuk ka dhënë fare para për ne që nuk kemi punuar fare gjatë muajve. E mbylla biznesin tim dhe i pushova nga puna të gjithë punonjësit dhe ne të gjithë po presim paratë,” thotë 43 vjeçarja Tiki Edison.

Kryeministri Benjamin Netanyahu për të qetësuar zemëratën popullore, u takua me disa prej aktivistëve, duke u premtuar ndihmë të menjëhershme. Izraeli vendosi izolim shumë të ashpër në mes të marsit dhe në fundit të majit filloi t’i lehtësojë masat.

Por ky izolim e ngriti papunësinë në 21%. Tani vendi po ndeshet me një valë të re infektimesh, ndërsa rreth 350 vetë kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat