Gati 10 milionë fëmijë “rrezikojnë të mos kthehen në shkollë” - Bota Sot
Gati 10 milionë fëmijë “rrezikojnë të mos kthehen në shkollë”

Bota

Gati 10 milionë fëmijë “rrezikojnë të mos kthehen në shkollë”

Më: 13 korrik 2020 Në ora: 17:38
Foto Ilustrim

Së paku 9.7 milionë fëmijë në gjithë botën mund të mos kthehen kurrë në shkollë, paralajmëroi një organizatë bamirëse e Mbretërisë së Bashkuar.

Save the Children tha se ndikimi ekonomik i krizës mund t’i detyrojë fëmijët të punojnë.

“Vajzat ka të ngjarë të preken shumë më keq sesa djemtë”, tha Save the Children, për të shtuar se shumë prej tyre përballen me “kërcënimin e martesave të hershme”.

Sipas organizatës, vazhdimi i shkollimit të fëmijëve është më i rrezikuar në vendet e Afrikës Perëndimore dhe Qendrore, në Jemen dhe në Afganistan.

“Kjo është një emergjencë e paparë arsimore dhe qeveritë duhet të investojnë urgjentisht në mësim”, tha presidenti i organizatës Save the Children, Janti Soeripto.

Pandemia e koronavirusit ka bërë që në shumë vende të botës të ndërpritet mësimi dhe të zhvillohet online, si masë për frenimin e përhapjes së tij.

Ajo ka pasur ndikim të madh edhe në ekonominë botërore. Banka Botërore ka paraparë muajin e kaluar se pandemia do të ndikojë që prodhimi ekonomik global të tkurret për 5.2 për qind në vitin 2020.

Koronavirusi, që shkakton sëmundjen COVID-19, ka prekur afro 13 milionë njerëz në gjithë botën.

Prej tyre, mbi 569,000 kanë vdekur dhe mbi 7.1 milionë janë shëruar.

Të dhënat kanë treguar se sëmundja i prek më pak fëmijët.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat