Përleshje në Liban, qytetarët e Bejrutit protestojnë kundër politikanëve të korruptuar

Bota

Përleshje në Liban, qytetarët e Bejrutit protestojnë kundër politikanëve të korruptuar

Më: 8 gusht 2020 Në ora: 18:42
Protesta

Mijëra libanezë po përleshen me policinë në rrugët e Bejrutit, katër ditë pas shpërthimit të madh që la pas të paktën 154 viktima. Protestuesit janë përleshur me policinë, e cila nga ana tjetër është kundërpërgjigjur me gazlotsjellës. Ata bëjnë përgjegjëse klasën e korruptuar politike për shpërthimin dhe për krizën ekonomike që ka përfshirë vendin.

Mijëra libanezë, të zemëruar me udhëheqësit e tyre politikë, po protestojnë sërish nëpër rrugët e kryeqytetit të shkatërruar Bejrutit, katër ditë pas një shpërthimi të fuqishëm që la të paktën 154 viktima.

Disa prej protestuesve janë përleshur me policinë, e cila nga ana tjetër është kundërpërgjigjur me gazlotsjellës, raporton Oran News.

Shpërthimi i së martës shkatërroi disa pjesë të qytetit dhe rizgjoi zemërimin e ngulitur thellë për klasën e korruptuar politike.

Shpërthimi u shkaktua nga një sasi e konsiderueshme e nitratit të amonit që ishte sekuestruar nga një anije, por nuk ishte zhvendosur nga magazinat e portit.

Qeveria është zotuar të gjegjë përgjegjësit, por në Liban ka një nivel të lartë mosbesimi, ku tetorin e kaluar filloi një lëvizje e madhe anti-qeveritare e nxitur edhe nga kriza ekonomike dhe zhvlerësimi i monedhës.

Dy ministra që u përpoqën të vizitonin lagjet e dëmtuara u shtynë jashtë nga protestuesit. Një marshim është parashikuar të lidhë një prej zonave më të shkatërruara pranë portit me Sheshin e Martirëve, zemrën e kryengritjes anti-qeveritare.

Përveç shfaqjes së zemërimit popullor, marshimet e qytetarëve synojnë të kujtojnë viktimat e shpërthimit, prej të cilit mbi 5 mijë vetë u plagosën dhe rreth 300 mijë mbetën të pastrehë.

Presidenti libanez Michel Aoun refuzoi thirrjet për një hetim ndërkombëtar në lidhje me shpërthimin. Ai tha se autoritetet vendore do të përcaktojnë nëse shpërthimi u shkaktua nga një “forcë e jashtme” si për shembull një bombë.

Ndërkaq udhëheqësit botërorë do të marrin pjesë një konferencë virtuale donatorësh të organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat