Shefi i OKB-së paralajmëron se konfliktet botërore rritin numrin e të infektuarve me COVID-19

Bota

Shefi i OKB-së paralajmëron se konfliktet botërore rritin numrin e të infektuarve me COVID-19

Më: 13 gusht 2020 Në ora: 08:55
Antonio Guterres

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (KB), Antonio Guterres paralajmëroi se konfliktet në botë duhet të ndalen menjëherë.

Sipas tij, kjo është e domosdoshme sepse pandemia e coronavirusit jo vetëm që kërcënon përparimin në luftën kundër urisë dhe varfërisë në botë, por gjithashtu kërcënon të thellojë konfliktet ekzistuese dhe të inkurajojë shpërthimin e reja, raporton DW.

Në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të KB, ai deklaroi se që nga thirrja e fundit më 23 mars për një armëpushim të menjëhershëm në të gjitha konfliktet në planet, me qëllim që njerëzimi të luftonte pandeminë e coronavirusit, rezultoi me shembuj të shumtë të uljes së konflikteve dhe ndërprerjes së operacioneve të armatosura.

“Fatkeqësisht, në shumë raste, pandemia nuk ishte një arsye e mjaftueshme që palët në konflikt të bien dakord për një armëpushim të përhershëm dhe ndërprerje të armiqësive”, shtoi Guterres.

Paraardhësi i tij në krye të organizatës botërore, Ban Ki-mun, deklaroi se ishte e pabesueshme se si miliarda njerëz në botë u izoluan me sukses duke marrë masa emergjente në mënyrë që të parandalonin përhapjen e COVID-19, por ndërprerja e konflikteve të armatosura dhe armiqësive nuk u arrit.

Ndryshe, shkencëtarët po mundohen të zbulojnë vaksinën kundër coronavirusit, e cila deri më tani ka marrë jetën e mbi 745 mijë personave gjersa janë infektuar 20.4 milionë njerëz në botë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat