SHBA nuk siguron zgjatjen e embargos së armëve ndaj Iranit

Bota

SHBA nuk siguron zgjatjen e embargos së armëve ndaj Iranit

Më: 15 gusht 2020 Në ora: 06:50
Ilustrim

SHBA nuk arritën të sigurojnë të premten zgjatjen e embargos së armëve nga OKB kundër Iranit. Kjo rrit gjasat që Uashingtoni të kërkojë të aktivizojë të gjitha sanksionet e mëparshme kundër Teheranit. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo kritikoi Këshillin e Sigurimit që nuk përmbushi mandatin e tij për të ruajtur paqen e sigurinë ndërkombëtare.

“Këshilli hodhi poshtë një rezolutë të arsyeshme për të zgjatur embargon 13-vjeçare ndaj Iranit duke i hapur rrugën shtetit kryesor sponsorizues të terrorizmit të blejë e shesë armë konvencionale pa kufizime për herë të parë në një dekadë,” tha zoti Pompeo përmes një deklarate.

Vetëm SHBA dhe Republika Domenikane votuan pro rezolutës. Rusia dhe Kina votuan kundër, 11 anëtarë të tjerë abstenuan. Rezoluta kërkonte të paktën nëntë vota pro. Ambasadori i Iranit në OKB, Majid Takht-Ravanchi tha përmes një deklarate se vendosja e sanksioneve apo kufizimeve nga Këshilli i Sigurimit do të zgjonte “një përgjigje të ashpër nga Irani dhe ne nuk jemi të kufizuar në opsione”.

Embargoja, në bazë të Marrëveshjes Bërthamore me Iranin të vitit 2015, skadon më 18 tetor 2020. Një ndër opsionet e Uashingtonit është procesi i rivendosjes së sanksioneve të mëparshme të OKB-së ndaj Iranit. Nëse Uashingtoni zgjedh këtë rrugë, do të ketë peripeci të shumta, pasi vetëm vendet që nënshkruan në 2015 marrëveshjen me Iranin mund të votojnë dhe Uashingtoni u tërhoq para dy vjetësh nga kjo marrëveshje.

SHBA argumentojnë se kanë të drejtën të aktivizojnë sanksionet në bazë të rezolutës së OKB-së që e shndërroi marrëveshjen në ligj ndërkombëtar, por siç u shpreh një diplomat, nuk mund ta hedhësh poshtë dhe njëkohësisht ta përdorësh marrëveshjen në interesin tënd.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat