Gati gjysma e të vdekurve nga Covid-19 në botë, nga azilet e pleqve

Bota

Gati gjysma e të vdekurve nga Covid-19 në botë, nga azilet e pleqve

Më: 29 gusht 2020 Në ora: 08:29
Foto ilustrim

Pandemia tregon sa urgjente janë reformat për kujdesin e të moshuarve. Shumica e të moshuarve duhet të marrin ndihmë në shtëpi

“Kundërmonte era vdekje”, tha Stephanie (jo emri i saj i vërtetë) ditën e parë të punës në Camilla Care Community, një azil pleqsh në Mississauga, qytet në Kanada, shkruan The Economist.

Ajo dhe punëtorët e tjerë u dërguan për të ndihmuar në ndërtesën me 236 shtretër në prill, teksa Covid-19 kishte depërtuar tashmë nëpër korridoret e ngushta dhe repartet e mbushura me njerëz. Dhjetëra punonjës të stafit u sëmurën ose refuzuan të punojnë. Nga mesi i korrikut, gati një e treta e banorëve në azil kishin vdekur. Jashtë, vendosur në një copë xhami, 69 kryqe të vogla të bardha i përkujtojnë ata.

Në vendet e pasura, gati gjysma e të gjithë të vdekurve nga Covid-19 vijnë nga shtëpitë e përkujdesjes dhe azilet e pleqve, edhe pse më pak se 1% e njerëzve jetojnë në to. Në Kanada, 80% e të gjitha vdekjeve nga Covid-19 kanë ndodhur në vende të tilla si Camilla (shiko grafikun 1). Në Britani, patogjeni ka vrarë rreth 5% të të gjithë njerëzve që jetojnë në institucione të tilla.

Problemi nuk është vetëm se mosha e banorëve i bën ata veçanërisht të rrezikuar, por edhe se kushtet e tyre të jetesës krijuan mundësi që virusi të përhapet. Vendet me më pak azile për pleqtë kanë pasur më pak vdekje nga Covid-19. Numri i shtretërve në këto azile shpjegon ndryshimin prej 28% të niveleve të vdekjeve në vendet europiane dhe 16% midis shteteve amerikane, sipas një studimi të Neil Gandal dhe kolegëve të tij në Universitetin e Tel Aviv.

Politikanët janë nën presion për të financuar më shumë para për sigurinë e azileve, inspektimet dhe standardet e cilësisë. Në një periudhë afatshkurtër, azilet do të kenë nevojë për më shumë pajisje mbrojtëse personale (PPE) dhe akses më të lartë në testime. Por katastrofa gjithashtu ofron një mundësi për të rimenduar kujdesin. Në të ardhmen, shumë ekspertë argumentojnë se shumica e njerëzve të moshuar duhet të marrin kujdes nga shtëpia për aq kohë sa të jetë e mundur.

Kjo kushton më lirë, në të gjitha rastet, përveç atyre më të rënda. Është gjithashtu ajo që dëshirojnë shumica e të moshuarve. Vendosja e tyre në institucione të mëdha është e kundërta e asaj që ata thonë se vlerësojnë më tepër: autonominë dhe pavarësinë. Dhe për ata që ende kanë nevojë, kujdesi në azile duhet të transformohet.

Shumica e njerëzve do të kenë nevojë për përkujdesje ndërsa plaken. Në disa vende, kjo do t’i falimentonte ata. Rreth 70% e amerikanëve që mbushin moshën 65 vjeç, do të kenë nevojë për ndihmë për të kryer të paktën dy aktivitete themelore të përditshme, siç janë larja ose veshja; 48% do të marrin kujdes me pagesë; 16% do të vuajnë nga sëmundjet e kujtesës. Rreziqet janë më të larta për gratë.

Për një në dhjetë njerëz që mbushin 65 vjeç në Britani, kostoja e kujdesit në vitet e tyre të mbetura do të kapërcejë shumën 100,000 paund (127,000 dollarë), sipas një studimi të kryer në vitin 2011. Kërkesa vetëm sa po rritet. Në vendet e pasura, pjesa e popullsisë që është mbi 80 vjeç, do të dyfishohet deri në vitin 2050, deri në atë kohë do të ketë vetëm dy persona në moshë pune për çdo të moshuar mbi 65 vjeç. Megjithëse jeta e njerëzve po zgjatet më shumë, numri i viteve gjatë të cilave ata gëzojnë shëndet të mirë nuk po rritet po aq shpejt.

Në vende si Norvegjia dhe Suedia, kujdesi për të moshuarit është i mirë, por u kushton taksapaguesve aq shumë sa që mund të mos jetë i qëndrueshëm me kalimin e kohës teksa mosha e popullsisë rritet. Në vendet e tjera si Britania dhe Amerika, kujdesi i financuar nga taksapaguesit është menduar si mjeti i fundit për më të varfrit dhe më të sëmurët. Kjo zakonisht nënkupton një shtrat në një azil. Këto institucione zakonisht kanë marrë pjesën më të madhe të fondeve që qeveritë i lënë mënjanë për t’u kujdesur për të moshuarit.

Probleme me personelin

“Le të jemi të sinqertë”, thotë David Grabowski nga Shkolla Mjekësore e Harvardit. “Edhe para pandemisë, askush nuk donte të shkonte në një azil pleqsh. Kjo ishte një krizë në krye të një krize të gjatë”. Sektori po vuan nga mungesa e stafit. Në disa shtete është shkëputur në mënyrë të pahijshme nga sistemi shëndetësor. Shtëpitë e përkujdesjes ishin “në fund të radhës gjatë krizës Covid-19, kur bëhej fjalë për çështje si testimet”, thotë Jos Schols, nga Universiteti i Mastrihtit.

Vende si Hong-Kongu dhe Tajvani që kanë përjetuar shpërthimin e Sars në azile, gjatë viteve 2002-‘03, kishin rezerva me pajisje mbrojtëse. Në vendet e tjera, ato furnizoheshin shumë dobët. Njerëzit që punojnë në azilet britanike thonë se pandemia ka konfirmuar “statusin e tyre të Hirushes”. Ata kishin gati dy herë më shumë gjasa të vdisnin nga Covid-19 sesa punonjësit në spitale. “Të gjithë janë të zemëruar për atë që ndodhi, por nuk bëjnë asgjë për ta zgjidhur”, thotë një kujdestar.

Në të gjithë botën, stafi në shtëpitë e kujdesit ndërrohet shpejt. Në Gjermani, gati një e treta e punonjësve afatgjatë largohen nga puna vetëm pas një viti. Në Francë, një e pesta e pozicioneve si punonjës kujdesi në azile ishte bosh në vitin 2018. Kjo nuk është për t’u habitur duke pasur parasysh se kujdestarët paguhen mesatarisht 35% më pak se njerëzit që bëjnë një punë të ngjashme në spitale, sipas OECD-së, një organizatë e vendeve kryesisht të pasura.

Kur të huaj kujdesen për ty është diçka e sikletshme për të gjithë, por sidomos për njerëzit me probleme me kujtesën. Ata përbëjnë shumicën e banorëve të shtëpive të përkujdesjes, por kryesisht nuk jetojnë në institucione që specializohen për gjendjen e tyre.

Në kulmin e shpërthimit të virusit në Londër, më shumë se një e katërta e stafit në azilet për të moshuarit nuk mund të punonte, ose nuk pranonte të punonte. Zyrtarët dërguan punëtorë të përkohshëm për t’i zëvendësuar ata. Kjo ndoshta e përhapi virusi edhe më shumë.

Mosha është thjesht një numër

Shumë qeveri shpenzojnë pak për kujdesin afatgjatë. Në vendet e pasura, ai shkon nga 0.2% e PBB-së në Hungari, në 3.7% në Holandë. Kanadaja shpenzon 1.3%, më pak se mesatarja e vendeve të pasura. Ajo ka më pak se gjysmën e numrit të punonjësve të shtëpive të kujdesit për 100 banorë, në krahasim me Norvegjinë. Në Amerikë dhe Britani, sistemet shëndetësore dorështrënguara, (Medicaid dhe autoritetet lokale) zakonisht rimbursojnë më pak se kostoja e kujdesit rezidencial.

Për të zgjidhur mungesën, azilet amerikane rekrutojnë në mënyrë aktive pacientë të mbuluar nga Medicare, një program i pasur që paguan shpenzime mjekësore (por jo shpenzime të kujdesit afatgjatë) për të moshuarit. Pacientët zakonisht vijnë për qëndrime të shkurtra për t’u rikuperuar pas operacioneve, dhe sjellin me vete rimbursime më bujare. Por pandemia e ka ndaluar këtë.

Përveçse ka ekspozuar modelet e brishta të biznesit, pandemia ka nxjerrë në pah edhe tensionin midis sigurisë për të moshuarit dhe lumturisë dhe mirëqenies së tyre, thotë Adam Gordon nga Universiteti Nottingham. Rregullatorët i nxisin shtëpitë e përkujdesjes të përqendrohen në mënyrë të pamëshirshme në të dhëna negative siç janë rëniet, plagët e shtratit dhe humbja e peshës. Por cilësia e jetës nënkupton shumë më tepër se shmangien e rënieve. Anne Tumlinson, një eksperte për plakjen, rekomandon që azilet të përqendrohen më pak tek “rutinat” dhe më tepër për “t’i bërë njerëzit të lumtur”.

Një sistem më i mirë do ta bënte më të lehtë që shumica e njerëzve të merrnin kujdes nga shtëpia. Teknologjia mund të ndihmojë. Kërkesa për të transferuar dikë në azil shpesh fillon me shqetësime për sigurinë e tyre. Kujdestarët nisin të zbulojnë gunga dhe shenja të pashpjegueshme. Pyetjet në lidhje me të djegurat e cigareve nëpër çarçafë shpërfillen. Ilaçet nuk merren. Qumështi mungon gjithmonë.

Imagjinoni një shtëpi ku sensorët i mbajnë gjithmonë nën vëzhgim këto gjëra. Ato vërejnë një ndryshim në ecje,
oreks ose aktivitet që herët, për të parashikuar një rënie, dehidratim ose depresion. Një shpërndarës i zgjuar i pilulave mund të ndihmojë me ilaçet.

Një robot shoqërues mund të ofrojë siguri, informacion, stërvitjen e mendjes dhe shoqëri. Disa nga zhvillimet më të fundit shkencore dhe teknologjike kanë për qëllim të ndihmojnë njerëzit që vuajnë nga sëmundja e harresës. Një produkt i prodhuar nga Elovee, një startup amerikan, u lejon atyre të bëjnë biseda të thjeshta me një avatar dixhital, i krijuar për t’u dukur si një person i afërm. Ideja është të mundësohet siguri gjatë momenteve të ankthit ose mërzitjes që mund të ndodhin kur njerëzit e dashur nuk janë pranë.

Teknologjia “nuk do të zëvendësojë kurrë vëmendjen e një kujdestari”, thotë Wilco Achterberg nga Universiteti Leiden. Por, mbledhja e të dhënave mund ta lehtësojë punën për të shpërndarë kujdestarët në mënyrë më efikase. Komunikimet me video po ua bëjnë më të lehtë të afërmve, kujdestarëve dhe mjekëve që të bëjnë kontrolle më të shpeshta.

Joan Gallimore, një 91-vjeçare e cila jeton vetëm në Angli, thotë se është ndier më e lumtur që kur ka filluar të komunikojë me familjen nëpërmjet një tableti që kujdestarët ia dhanë kur nisi karantina. Asaj i pëlqejnë shumë bisedat me mbesat dhe performancat nga dhëndri i saj, i cili po mëson t’i bjerë kitarës.

Përmirësimi i mënyrave konvencionale të ofrimit të kujdesit në azile është gjithashtu thelbësor. Buurtzorg, një shtëpi kujdesi në Holandë, mbështet një model që është provuar në 25 shtete. Sekreti është i thjeshtë, thotë Jos de Blok, themeluesi i saj: lërini infermierët të bëjnë punën e tyre. Ekipeve të vogla u jepet një autonomi e konsiderueshme për t’u kujdesur për një lagje.

Duke hequr burokracinë, modeli i lejon infermierët të kalojnë më shumë kohë duke dhënë ndihmë. Për shkak se i gjithë stafi përbëhet nga infermierë të kualifikuar, pagat e tyre janë më të larta se ato të kujdestarëve tradicionalë. Dhe meqë janë të trajnuar më mirë, ata mund të bëjnë të njëjtën punë si një kujdestar normal për një kohë më të shkurtër, rreth një e treta e kohës më shpejt se një jo profesionist.

Për disa njerëz, veçanërisht për ata që janë të vetmuar dhe ata që vuajnë nga sëmundja e kujtesës, vizitat në shtëpi nuk janë të mjaftueshme. Qendrat e kujdesit ditor mund t’i ndihmojnë. Disa qendra në Zvicër, i marrin njerëzit nga shtëpitë, i ndihmojnë të vishen dhe i kthejnë në shtëpi në fund të ditës. Në Suedi, kujdesi ditor për të moshuarit ofrohet nga shteti, në të njëjtën mënyrë siç është kujdesi për fëmijët. Kili ka vetëm një sektor të vogël zyrtar të kujdesit, por qeveria e tij ka vendosur ta bëjë kujdesin ditor për të moshuarit një përparësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat