Koronavirusi shënon 25 milionë të prekur në botë

Bota

Koronavirusi shënon 25 milionë të prekur në botë

Më: 30 gusht 2020 Në ora: 18:51
Foto ilustrim

Të prekurit nga COVID-19 në gjithë globin arritën një tjetër shifër rekord. Këtë të diel u shënuan mbi 25 milionë të prekur që prej nisjes së pandemisë mes të cilëve mbi 840 mijë e kanë humbur betejën.

24-orëshi i fundit ka qenë i qëndrueshëm për sa i përket infektimeve të reja në vendet e Bashkimit Europian. Franca që këtë javë ka pasur shifra të larta infektimesh ditore, këtë 24-orësh shënoi afro 5 mijë infektime të reja, nga mbi 7 mijë që prekën rekord të premten.

Të dhënat e fundit në Spanjë janë të para dy ditëve kur u shënuan mbi 9 mijë të infektuar duke arritur nivelet e infektimeve ditore të Marsit, kur u shënua kulmi i pandemisë.

Prej disa ditësh, në dy vendet më problematike të momentit për infektimet e reja janë në fuqi masa të rrepta kundër përhapjes së COVID-it ku qytetarët janë të detyruar të mbajnë maska edhe kur dalin nga ambientet e mbyllura.

Por në kryeqytetin gjerman Berlin, pavarësisht ndalimit të grumbullimeve, me mijëra protestues kundër maskave dolën sërish në shesh madje duke ekspozuar simbole të djathta radikale e naziste. Manifestuesit akuzuan qeverinë Merkel për grabitjen e të drejtave të njeriut, ndërsa dhjetëra prej tyre u arrestuan.

Për momentin, India ka shifrat më të larta ditore të infektimit në botë ku në 24 orët e fundit u regjistruan mbi 76 mijë raste të reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat