Rekord i rasteve me COVID-19 në botë, disa shtete përballen me valën e dytë të pandemisë

Bota

Rekord i rasteve me COVID-19 në botë, disa shtete përballen me valën e dytë të pandemisë

Më: 14 shtator 2020 Në ora: 12:31
Foto ilustrim

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shënuar rekord ditor të rasteve të reja me koronavirus, meqë në gjithë botën janë regjistruar 307,930 persona të prekur nga sëmundja COVID-19, që shkakton ky virus.

Kjo i bie se në 24 orët e fundit OBSH-ja ka regjistruar rreth 1,000 raste më shumë sesa një javë më parë.

Kjo Organizatë ka thënë më 14 shtator se përgjatë një dite janë regjistruar edhe 5,500 vdekje, duke e çuar totalin e viktimave në 917,417.

Rritja më e madhe e infektimeve është raportuar në Indi, Shtetet e Bashkuara dhe Brazil.

Në gjithë globin deri më tani janë regjistruar 28.6 milionë raste me koronavirus, shumica e të cilave në kontinentin amerikan.

India ka raportuar 94,372 raste të reja më 13 shtator, e përcjellë nga Shtetet e Bashkuara me 45,523, dhe Brazili me 43,718, sipas OBSH-së.

Më shumë se 1,000 vdekja të reja janë regjistruar në SHBA dhe Indi, derisa Brazili ka thënë se 874 persona kanë vdekur nga COVID-19 në 24 orët e fundit.

India aktualisht ka numrin e dytë më të madh të të infektuarve në botë, pas Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë edhe shtetet evropiane janë duke u përballur me rritje të numrit të të infektuarve në baza ditore.

Autoritetet kanë rikthyer masat e izolimit në rajonet më të prekura, derisa janë rritur thirrjet për vendosjen e maskave dhe respektimin e distancimit fizik.

Në Izrael, ku është raportuar për shpërthim të ri të koronavirusit, qeveria ka marrë vendim për izolim kombëtar për tri javë.

Këto kufizime në lëvizje vijnë në kohën e shumë festive hebreje. Aty përfshihen edhe vendimet për mbyllje të shkollave dhe qendrave tregtare.

Austria dhe Republika Çeke po përballen me valën e dytë të koronavirusit

Austria duket se po përballet me “valën e dytë” të infektimeve me koronavirus ka thënë kancelari austriak, Sebastian Kurz, teksa u ka bërë thirrje qytetarëve që të zbatojnë rregullat e distancimit fizik, si dhe u ka sugjeruar kompanive që të vazhdojnë punën nga shtëpitë, nëse është e mundur.

Austria pati raportuar se faza e parë e pandemisë ka qenë relativisht e suksesshme, mirëpo së fundmi u është bashkuar shteteve evropiane që po raportojnë rritje të infektimeve në javët e fundit.

“Ajo me çfarë po përballemi tani është fillimi i valës së dytë të pandemisë në Austri”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se shumica e njerëzve janë duke u infektuar në organizimet familjare, festat e ditëlindjeve dhe ngjarjeve tjera private, dhe se “këto infektime më pas po dërgohen në vende të punës”.

Kurz ka thënë se shumë kompani kanë pasur “përvoja të mira” të punës nga shtëpitë.

Austria që ka rreth 8.9 milionë banorë, ka regjistruar më shumë se 33,000 raste të infektimit, prej kur ka shpërthyer pandemia atje.

Prej tyre 750 persona kanë vdekur.

Ndërkohë shifrat e të infektuarve po rriten edhe në Republikën Çeke.

Për pesë ditë me radhë, autoritetet çeke kanë regjistruar mbi 1,000 të infektuar me koronavirus, në shtetin me 10.7 milionë banorë.

Epidemiologu, Roman Prymula, komisionari qeveritar për shkencë dhe kërkime në fushën e kujdesit shëndetësor, ka thënë për një televizion çek të dielën se vala e dytë e shpërthimit të koronavirusit ka nisur në këtë shtet andaj numri i të hospitalizuarve do të rritet.

Megjithatë, deri më tani autoritetet e këtij shteti kanë thënë se 60 për qind e pacientëve janë shëruar.

Deri të dielën, nga 35,401 raste totale me këtë virus, 453 pacientë kanë vdekur.

Kryeministri çek, Andrej Babish ka thënë për tabloidin Blesk të dielën se shteti që drejton ai është përballur me një prej shifrave më të ulëta të vdekjes në Evropë, që kanë pasur shkaktar këtë virus.

Republika Çeke ka qenë një prej vendeve të para në Evropë që e ka bërë të detyrueshme vendosjen e maskës, ka mbyllur shkolla e biznese dhe ka kufizuar udhëtimin, me qëllim të parandalimit të koronavirusit.

Mirëpo ky shtet ka qenë po ashtu i shpejtë në largimin e masave gjatë muajve të verës, ani pse javën e kaluar ka ashpëruar sërish rregullën për vendosje të maskës.

Rritja e madhe e numrit të të infekturve ka ndikuar që Gjermania t’iu kërkojë udhëtarëve nga Praga që të ofrojnë test negativ për COVID-19, apo t’i nënshtrohen karantinës dyjavore, në rast se hyjnë në territorin gjerman./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat