Ekipi i Navalnyt thotë se helmi Noviçok u gjet në shishen e ujit në hotel

Bota

Ekipi i Navalnyt thotë se helmi Noviçok u gjet në shishen e ujit në hotel

Më: 17 shtator 2020 Në ora: 10:44
Alexei Navalny

Ekipi i figurës opozitare ruse, Alexei Navalny, tha të enjten se helmi që u përdor për ta helmuar këtë person është gjetur në një shishe boshe të ujit në dhomën e hotelit ku po qëndronte në qytetin Tomsk të Siberisë.

Kjo lë të kuptohet se Navalny u helmua gjatë qëndrimit në hotel e jo në aeroport, si mendohej më herët, shkruan Reuters.

Navalny u sëmur papritmas gjatë një fluturimi me aeroplan muajin e kaluar dhe më pas u dërgua në Berlin për trajtim mjekësor. Autoritetet gjermane kanë thënë se ai është helmuar me agjentin nervor Noviçok. Në anën tjetër, Rusia ka thënë se nuk ka parë dëshmi që Navalny është helmuar.

Në një video të publikuar në llogarinë e Navalnyt në Instagram shihen pjesëtarët e ekipit të tij duke kërkuar në dhomën e hotelit ku kishte qëndruar dhe duke mbledhur gjësende që do të mund të shërbenin si provë.

“Dy javë më vonë, një laborator gjerman gjeti shenja të Noviçokit saktësisht në shishen e ujit në dhomën e hotelit në Tomks”, shkruhet në postim.

Britania të mërkurën tha se është pothuajse e sigurt që shërbimet inteligjente ruse e kanë organizuar helmimin e Navalnyt që është një prej kritikuesve më të ashpër të presidentit rus, Vladimir Putin, duke thënë se Rusia duhet të japë përgjigje, sepse përdorimi i armëve kimike është i papranueshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat