Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, takim virtual për shkak të pandemisë

Bota

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, takim virtual për shkak të pandemisë

Më: 18 shtator 2020 Në ora: 18:10
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump nuk do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Vendimi u njoftua nga shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë të enjten.

Shumë krerë shtetesh po dërgojnë mesazhe virtuale por nuk është ende e qartë nëse zoti Trump do të dërgojë një mesazh apo do të marrë pjesë virtualisht. Zakonisht, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në Nju Jork është një nga mbledhjet më të mëdha ndërkombëtare të vitit dhe për organizimin e saj merren masa të gjera sigurie. Por këtë vit, takimi virtual sjell sfida të tjera.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së filloi punimet të martën në një Nju Jork të transformuar. Po zhvillohen takime, po mbahen fjalime, por pa turma dhe trafik ngjeshur.

“Këtë vit do të kemi një video deklaratë në sallën tonë të madhe ikonike të Asamblesë së Përgjithshme. Ne do të kemi një person për çdo shtet anëtar në sallën e Asamblesë së Përgjithshme për shkak të Covid-19", tha Brendan Varma, zëdhënës i OKB-së.

Megjithatë, formati i ri në internet ka rritur numrin e udhëheqësve botërorë që marrin pjesë në këto takime virtuale, tha zëdhënësi i OKB-së, Brendan Verma.

“Pra, këtë vit pothuajse 120 krerë shtetesh do të mbajnë fjalime virtuale. Gjithashtu, rreth 54 kryeministra do të flasin përmes platformës virtuale. Pra, do të kemi një numër më të madh fjalimesh. Në të kaluarën, kemi patur 70-80 kryetarë shtetesh që jepnin fjalime", tha zëdhënësi Varma.

“Unë jetoj në këtë lagje. Lëviza këtu pesë vite më parë. Në këtë kohë këtu ka zakonisht shumë aktivitet dhe në mbrëmje është pak e rrezikshme. Prandaj jam vërtet e lumtur që këtë radhë, OKB-ja nuk po i zhvillon punimet këtu”, tha një banore e Nju Jorkut.

“Në fakt është një ngjarje e madhe këtu dhe është disi emocionuese të shohësh njerëz nga e gjithë bota, që vijnë për të provuar që ta bëjnë planetin një vend më të mirë për të gjithë. Dhe gjithashtu ndihem keq për bizneset e vogla në zonë.”

Ndërsa qyteti i Nju Jorkut kryesisht e ka frenuar pandeminë me masa kufizuese sociale, rimëkëmbja e plotë ekonomike mund të zgjasë me vite, thonë ekspertët. Një studim nga organizata Partneriteti për Qytetin e Nju Jorkut thotë se një e treta e bizneseve të vogla të qytetit, apo rreth 77,000 punëdhënës ka të ngjarë të mbyllen për shkak të mungesës së aktivitetit ekonomik.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së me mijëra pjesëmarrës ndërkombëtarë mund të ketë lehtësuar barrën financiare të qytetit. Por jo me takimet virtuale të këtij viti.

“Selia e OKB-së ndodhet në fund të bllokut më poshtë. Zakonisht qindra njerëz vijnë këtu për mëngjes, drekë dhe darkë; këtë radhë mungesa e tyre do të dëmtojë biznesin tonë", tha Shawn Taylor, menaxher restoranti.

Nga ana tjetër, banorët e Nju Jorkut do të jenë të gëzuar që nuk do të ketë mbyllje të rrugëve dhe radhë të gjata makinash në Manhatan, që normalisht ndodh gjatë takimit të Asamblesë së Përgjithshme.

"Më pëlqen fakti që do të ketë më pak trafik dhe mbingarkesë", thotë një banore e Nju Jorkut.

Mungesa e aktivitetit dikur normal nga punimet e OKB-së në këtë zonë është një tregues tjetër se pandemia e Covid-19 nuk është mposhtur.

“Unë gjithashtu mendoj se është një lloj kujtese e trishtueshme se mbarë bota është në pauzë. Shpresoj se takimi do të kthehet vitin e ardhshëm”, thotë kjo banore e Nju Jorkut./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat