Dhuna, varfëria: Ndikimi dërrmues i mbylljes së shkollave në disa vende të botës për shkak të pandemisë së coronavirusit

Bota

Dhuna, varfëria: Ndikimi dërrmues i mbylljes së shkollave në disa vende të botës për shkak të pandemisë së coronavirusit

Më: 19 shtator 2020 Në ora: 00:06
Foto ilustrim

Kone Gininkita, një mësues i ciklit parashkollor dhe fillor në qytetin Sangouine në Bregun e Fildishtë të Afrikës, shprehet i shqetësuar pasi disa prej nxënësve të tij, rrezikohen të mos kthehen në bangat shkollore këtë vit.

Ai vlerëson se 10 për qind e nxënësve do ta braktisin shkollën pasi familjet e tyre janë shtyrë më tej në varfëri për shkak të tronditjes ekonomike nga pandemia e coronavirusit, shkruan Al Jazeera.

“Kam frikë se ata do t’iu zhyten ‘veseve të këqija’”, u shpreh ai.

Në rast se me të vërtetë ndodh ajo që ia ka frikën Gininkita, nxënësit e tij do të bëhen pjesë e gati 24 milionë studentëve në të gjithë botën – nga cikli parafillor e më tej – të cilët mund ta braktisin shkollën vitin e ardhshëm, sipas Kombeve të Bashkuara.

Shifrat e zymta janë pjesë e asaj që shefi i KB-së, Antonio Guterres, i përshkruajti si “katastrofale” në fillim të muajit gusht.

“Aspektet e ndikimit të mbylljes së shkollave janë absolutisht mbizotëruese”, tha Robert Jenkins, shefi global i arsimit në UNICEF, duke theksuar se sa më shumë që fëmijët e braktisin shkollën aq më pak ka gjasa që ata kthehen përsëri.

“Fëmijët nga komunitetet më të margjinalizuara po e pësojnë më rëndë, kështu që ne jemi dëshmitarë të një përkeqësimi të pabarazive”, shpjegoi ai.

Në kulmin e masave parandaluese të coronavirusit gjatë muajit prill, afër 1.6 miliardë fëmijë u detyruan të ndërprejnë aktivitetet shkollore, pasi më shumë se 180 vende implementuan mbylljen e përkohshme të shkollave. Sot, më shumë, se 870 milionë nxënës nuk iu janë rikthyer aktiviteteve të mëparshme, sipas UNICEF.

Edhe para pandemisë, 53 për qind e fëmijëve në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare nuk ishin në gjendje të lexonin dhe të kuptonin një pjesë të thjeshtë të ndonjë teksti deri në moshën 10-vjeçare.

Mësimi ‘online’

Duke marrë parasysh që disa vende zbatuan masa të reja gjatë bllokimit, duke aplikuar kurse online, pothujase 500 milionë fëmijë – një e treta e nxënësve në botë – nuk ishin në gjendje të ndjekin mësimin në distancë, sipas një raporti të UNICEF.

Situata qëndronte ndryshe në të gjitha vendet duke parë pabarazitë ekzistuese përfshirë ‘ndarjen’ dixhitale. Në Afrikën nën-Sahariane, ku pothujase gjysma e njerëzve nuk kanë qasje në energji elektrike, 120 milionë nxënës – gati gjysma e fëmijëve në rajon nuk kishin mundësi të mësonin përmes platformës ‘online’.

Duke përmendur se mësimi ‘online’ nuk ishte opsioni i vetëm i disponueshëm, Maria Van Kerkhove, drejtuese e kësaj praktike për OBSH, iu kërkoi qeverive që përparësia t’ju vihet hapjes së shkollave pavarësisht niveleve të caktuara të rreziqeve, raporton Al Jazeera.

“Shkollat mund të hapen në mënyrë të sigurt në vendet ku virusi mund të kontrollohet. Ka mjete që mund të zbatohen për të zvogëluar transmetimin”, u shpreh ajo.

Pasojat e mëdha nga mbyllja e shkollave

Përtej efekteve ‘shkatërruese’ në procesin e të mësuarit, mbyllja e shkollave paraqet pasoja edhe më të rënda.

Mungesa e një rrjeti sigurie nga shkollat i bën fëmijët më të ndjeshëm nga dhuna, mbyllja e shkollave mund të çojë në martesa të hershme; punë të detyrueshme tek fëmijët si dhe forma të tjera të abuzimit me ta.

Në një sondazh global, me më shumë 25 mijë fëmijë përfshirë në anketim edhe kujdestarët e tyre, zbuloi se dhuna në shtëpi ishte dyfishuar pas mbylljes së shkollave. Përqindja e fëmijëve që kanë përjetuar dhunë në shtëpi u rrit nga 8 deri në 17 për qind.

Për herë të parë në 20 vite bota mund të përballet me rritje të aktiviteteve të punës tek fëmijët, tha Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO).

Ndërkohë barra të tilla nuk rëndojnë njësoj si tek djemtë ose tek vajzat paralajmërojnë ekspertët.

“Gjatë viteve të ardhshme mund të rritet edhe niveli i martesave tek vajzat”, tha Abdirahman Mahamud, një zyrtar i lartë i urgjencës shëndetësore që merret me kërkime për COVID-19 si dhe me çështjen e fëmijëve për OBSH-në.

Pas shpërthimit të Ebolas në vitin 2014-2015, një raport i “Fondit Malala” tregoi se pas mbylljes së shkollave në Sierra Leone, Guinea dhe në Liberi, niveli i regjistrimit të vajzave në shkolla kishte rënë.

Ndërkohë, vetëm në Sierra Leone, ishte rritur shtatzënia tek mosha adoleshente nga 30 deri në 60 për qind, bazuar në të dhënat e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Hapja e shkollave si prioritet

OBSH së bashku me UNESCO-n dhe UNICEF, publikuan të martën një sërë udhëzimesh se si t’i rihapin shkollat, duke këmbëngulur që mbyllja e tyre duhet të konsiderohet si opsioni i fundit dhe i përkohshëm në një nivel lokal gjerësisht tek zonat me ‘transmetime të ashpra’.

“Ne po inkurajojmë të gjithë që shkollat të jenë prioritet, pavarësisht rreziqeve të mundshme nga shpërthimi”, theksoi Mahamud.

“Në qoftë se zbatojmë të gjitha masat e sigurisë për t’iu përgjigjur shpërthimeve, ne do të mbrojmë komunitetet në tërësi”, potencoi ai ndër tjerash. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat