Kurba në rritje e koronavirusit

Bota

Kurba në rritje e koronavirusit

Më: 28 shtator 2020 Në ora: 00:40
Foto

Vijon të jetë kritike situata në disa vende evropiane si pasojë e Covid-19. Britania e Madhe dhe Franca janë shndërruar sërish në vatrën më të nxehtë.

Rritja e numrit të të infektuarve në Mbretërinë e Bashkuar ka bërë që autoritetet të planifikojnë një tjetër izolim për të parandaluar ndonjë tragjedi të mundshme. Ekspertët e Shëndetësisë janë shprehur se Britania e Madhe do të ketë më shumë se 100 viktimave në ditë nga virusi vdekjeprurës.

Aktualisht Britania numëron mbi 429 mijë të infektuar dhe më shumë se 41 mijë të vdekur që kur pandemia u përhap në Mars.

Edhe në Francë rritja e rasteve ka detyruar autoritetet që të mbyllin disa universitete dhe shkolla fillore. Më të ashpra janë kufizimet në Marsejë, qytet që konsiderohet epiqendër për transmetimin e virusit.

Jo vetëm kaq, por në Paris është ndaluar grumbullimi i më shumë se 10 personave në hapësira publike, ndërsa baret dhe restorantet do të mbyllen pas orës 22:00. Vendet kulturore si teatrot, muzetë dhe kinematë do të kenë protokolle strikte shëndetësore dhe nuk do të preken nga urdhri për mbyllje.

Në vetëm 24 orë ky vend ka regjistrua mbi 14.412 raste, një shifër rekord kjo që nuk ishte parë as në muajt kur virusi filloi të përhapej. Numri i të infektuarve ka arritur në 527 mijë, nga ku mbi 31 mijë kanë humbur jetën.

Edhe disa vende të tjera si Gjermania, Spanja dhe Çekia kanë regjistruar rritje të rasteve me Covid-19. Në Madrid autoritetet kanë vendosur që lokalet dhe vendet ku ka më shumë grumbullime të qëndrojnë hapur me orar të kufizuar.

Ndërkaq Michael Ryan, Drejtor i Emergjencës nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se me ardhjen e dimrit pandemia do ta çojë numrin e viktimave në 2 milion. Ai kërkoi që të zbatohen me rigorozitet të gjitha masat kundër Covid-19 përfshirë higjienën, mbajtjen e maskës, distancimin fizik, testimin, ndjekjen e kontakteve dhe karantinën.

Numri i të infektuarve në të gjithë globin ka shkuar në 33 milionë, ndërsa numri i të vdekurve po arrin afër 1 milionëshit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat