Pompeo përshëndet gatishmërinë e Greqisë për pakte detare me fqinjët

Bota

Pompeo përshëndet gatishmërinë e Greqisë për pakte detare me fqinjët

Më: 29 shtator 2020 Në ora: 12:28
Pompeo

Shtetet e Bashkuara përshëndesin gatishmërinë e Greqisë për të kërkuar marrëveshje detare me fqinjët e saj në rajon, thanë Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo dhe ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias pas bisedimeve që patën të hënën në Selanik.

Sekretari Pompeo po zhvillon një vizitë dy-ditore në Greqi mes tensioneve të shtuara rajonale për burimet e energjisë.

Në një deklaratë të përbashkët, dy vendet bënë thirrje për një zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve detare në Mesdheun lindor.

“Shtetet e Bashkuara dhe Greqia … ripohuan besimin e tyre që çështjet e caktimit të kufirit detar duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore në përputhje me të drejtën ndërkombëtare,” thanë dy vendet në deklaratë.

Aleatët e NATO-s, Greqia dhe Turqia, të cilat kanë mosmarrëveshje për një sërë çështjesh, kanë rënë dakord të rifillojnë bisedime mbi pretendimet detare pas shumë javë tensionesh.

Tensionet u shkallëzuan muajin e kaluar pasi Turqia dërgoi anijen e kërkimeve sizmike Oruç Reis, të shoqëruar nga anije ushtarake në një zonë të diskutueshme që mendohet të jetë e pasur me burime energjetike, në vijim të një marrëveshjeje detare të nënshkruar midis Greqisë dhe Egjiptit.

Turqia ka thënë se pakti shkel shelfin e saj kontinental.

Ankaraja e tërhoqi anijen Oruç Reis këtë muaj, duke thënë se donte t’i jepte një shans diplomacisë.

Zoti Pompeo tha se shpresonte që bisedimet paraprake, të cilat pritet të rifillojnë së shpejti, do të sjellin gjithashtu rezultate.

“Ne shpresojmë që bisedimet jo vetëm të fillojnë si duhet, por është e rëndësishme që ato të zhvillohen në një mënyrë që jep rezultate të cilat të jenë mëse të pranueshme nga secili prej dy vendeve,” tha zoti Pompeo për Athens News Agency.

Zoti Pompeo ka thënë më parë se Shtetet e Bashkuara janë “thellësisht të shqetësuara” për veprimet turke në Mesdheun lindor.

Është hera e parë që një sekretar amerikan i shtetit viziton Selanikun, që shihet si një portë për investime dhe tregti në Ballkan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat